Dumoshi: Ali Podrimja do të mbetet i paharruar në mesin tonë
Foto: Zëri

Dumoshi: Ali Podrimja do të mbetet i paharruar në mesin tonë

Kultura July 21, 2020 - 17:47

Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, ka kujtuar poetin e madh, Ali Podrimja, në 8 vjetorin e vdekjes së tij.

Dumoshi tha se sot janë bërë tetë vite “nga mosprania fizike e poetit tonë të madh, Ali Podrimja, por që mbetet gjithmonë në kujtimet tona përmes trashëgimisë letrare që la pas”.

“Ali Podrimja, i cili ka qenë autor i shumë vëllimeve me poezi dhe me të drejtë konsiderohet një poet i kalibrit ndërkombëtar dhe si ndër përfaqësuesit më të njohur të poezisë së sotme shqiptare. Poezia e tij ka qenë e pasur me figurshmëri poetike dhe me nivel të lartë kuptimor e sensual. Podrimja përmes artit poetik ka përçuar kulturën e traditën shqiptare dhe me krijimtarinë e tij e ka ngritur në një nivel tjetër poezinë shqipe.

Poezitë “Lum Lumi”, “Unë, biri yt, Kosovë”, e shumë e shumë poezi tjera të Aliut do të mbesin gjurmë të pashlyera në kulturën moderne të Kosovës”.

“E kujtojmë me mall dhe krenari poetin e paharruar Ali Podrimja. Krenohemi që e patëm dhe mburremi ende para popujve tjerë me krijimtarinë e madhe e të bukur që ka lënë pas”, përfundoi Vlora Dumoshi, ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.