Aktorët e Prishtinës kërkojnë themelimin e trupës artistike të Teatrit, paralajmërojnë edhe protesta

Aktorët e Prishtinës kërkojnë themelimin e trupës artistike të Teatrit, paralajmërojnë edhe protesta

Kultura August 05, 2020 - 11:24

Grupi i Aktorëve të Prishtinës, përmes një konference për media, ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës që t’ia mundësojë themelimin e trupës rezidente të teatrit “Dodona” në Prishtinë, raporton “Ekonomia Online”.

Ata kanë thënë se Ligji për Teatrin ua mundëson një gjë të tillë dhe nga të gjitha komunat e Kosovës vetëm Prishtina ende nuk e ka themeluar këtë trup.

Leonit Maloku, nga Grupi i Aktorëve të Prishtinës, tha se kërkesa e tyre është bërë qe 2 vjet, por që sipas tij nuk është marrë parasysh as nga niveli qendror e as ai lokal. Ai ka thënë se ata kërkojnë që të hapen konkursi për shtimin e numrit të aktorëve të rijnë në teatrin “Dodona”, që aktualisht funksionin vetëm më 5 aktorë.

“Ne si aktorë të Prishtinës shumica të papunësuar kërkojmë shtimin e numrit të aktorëve dhe formimin e trupës rezidencë në teatrin ‘Dodona’ në komunën e Prishtinës. Teatri ‘Dodona’ qe 15 vjet funksionon vetëm me 5 aktorë dhe prodhon shfaqje kryesisht për fëmijë. Ligji për Teatrin specifikon se një teatër ‘mund të këtë ansamblin rezident prej më së paku 10 dhe më së shumti 20 aktorë. Ndërsa Teatri i Qytetit funksionon me vetëm 5 anëtarë. Ne po kërkojmë respektimin e ligjit dhe hapjen e konkursit edhe për 15 aktorë”, është shprehur Maloku.

Ai ka thënë se nëse kërkesat e tyre nuk realizohen, ata do të protestojnë para Komunës së Prishtinës. “Nëse kërkesat tona nuk realizohen do të shkojmë me protesta, do të hapin tenda dhe do të kemi monologë poezi dhe kur të vijë këtu kryetari Shpend Ahmeti do ta shohë se në çfarë gjendje e ka lënë kulturën në qytetin tonë”, ka thënë Maloku, raporton EO-ja.

Aktori Ilir Prapashtica ka thënë se ata kërkojnë të drejtën e tyre dhe arsyet pse po pengojnë një gjë të tillë nuk u interesojnë. “E kërkojmë të drejtën tonë si aktorë me pas një vend pune. Gjithë qytetet tjera kanë themeluar gupen rezident të Teatrit,vetëm Prishtina jo. Arsyeja ku është nuk e dimë, janë disa arsyetime, jo ministria e institucionet tjera, por neve si aktorë nuk na interesojnë, ne kërkojmë të drejtën tonë dhe shpresoj që do të realizohet”, është shprehur ai.