Komuniteti artistik në mëshirë të fatit, 5 milionët e premtuar nga Qeveria nuk u ndanë asnjëherë

Komuniteti artistik në mëshirë të fatit, 5 milionët e premtuar nga Qeveria nuk u ndanë asnjëherë

Kultura September 24, 2020 - 19:45

Komuniteti artistik në Kosovë është përballur me vështirësi të rënda financiare këtë vit si pasojë e pandemisë COVID-19 dhe mungesës së mbështetjes nga shteti.

Artistët po kërkojnë nga institucionet e shtetit që të lejohet hapja e teatrove, ashtu siç janë lejuar shumë veprimtari të tjera duke respektuar masat anti-COVID. Dramaturgu Jeton Neziraj, ka thënë në Radio Prishtina, se kërkesa e tyre për hapjen e teatrove është e qartë dhe e bazuar në argumente, duke pas parasysh edhe gjendjen e pandemisë.

“Konsiderojmë se ka hapësirë që teatrot të hapen, pasi duke pas parasysh se e njëjta gjë ka ndodhur me fusha tjera si Qendra Tregtare e fitnese ndërkohë edhe vet zyrtarët qeveritarë kanë organizuar aktivitete të ndryshme publike brenda objekteve por edhe jashtë në sheshe, kështu që konsiderojmë që nuk ka hapësirë për prolongim të kësaj çështje”, ka thënë Neziraj në emisionin “Drive Time” në Radio Prishtina, transmeton Zeri.info.

Neziraj ka thënë se si pasojë e pandemisë, artistët janë kategoria më e prekur të cilët kanë mbetur pa punë tash e 6 muaj, duke e cilësuar gjendjen e tyre si mjaft dramatike.

“Kategoria më e prekur prej pandemisë janë artistët e pavarur që veprojnë në angazhime në projekte, kjo ka nënkupton që ata për këto 6 muaj ata nuk kanë pasur asnjë të ardhur, gjendja e tyre është dramatike sepse shumica e tyre kanë pasur të vetmin burim të ardhurash punën në teatro”, ka thënë Neziraj.

Ai ka përmendur fondin 5 milionësh nga Qeveria për skenën e pavarur kulturore, ndërsa ka thënë se kjo nuk është realizuar kurrë, duke akuzuar qeverinë se ka lënë artistët në mëshirën e fatit.

“Në fillim të vitit, Qeveria pati ndarë fond rreth 5 milionë eurosh, i cili do t’i dedikohej skenës së pavarur kulturore, megjithatë ai fond nuk është realizuar si ide, Komuna e Prishtinës ka pasur një iniciativë fare të vogël, që ka qenë një infuzion financiar i vogël dhe krejt i papërfillshëm. Mbështetje as të vogël s’ka pas nga Ministria e Kulturës. Artistët janë lënë në mëshirë të fatit, nuk ka pasur mekanizma që do t’i ndihmonin kësaj kategorie”, ka thënë Neziraj në Radio Prishtina, duke shtuar se institucionet po arsyetohen me formimin e komisioneve për ndarjen e këtij fondi. /Zëri