Në Bibliotekën e Gjilanit vendoset pllaka me emrin e Agon Musliut

Në Bibliotekën e Gjilanit vendoset pllaka me emrin e Agon Musliut

Kultura December 30, 2020 - 13:36

Është vendosur të mërkurën pllaka e klubit të lexuesve me emrin e Agon Musliut, i cili vdiq në mënyrë tragjike në fillim të pandemisë.

Nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismajli, tha se kjo është me e pakta që mund ta bëjnë si Komunë për ta nderuar emrin e tij.

“Sot nderohet Biblioteka e Gjilanit dhe klubi i lexuesve. Agoni do të mbetet gjithmonë në mendje dhe në zemrat tona. Ai e humbi jetën gjatë kohës së pandemisë dhe ka qenë dhimbje për të gjithë ne. Tash e tutje ky klub do ta bartë emrin e një engjëlli që sot nuk jeton me ne dhe do ta kujtojmë për jetë e mot”, tha Ismajli.

Babai i të ndjerit Agon Musliu, Naimi, e ka falënderuar kryetarin e Haziri për përkujdesjen dhe nderin që ia ka bërë familjes Musliu me rastin e vendosjes së kësaj pllake.

“Le të shërbejë kjo pllakë si rreze dielli, si gur për rininë dhe për të ardhmen për çdo të ri shqiptar anekënd botës”, tha Musliu.

Përndryshe, i ndjeri Agon Musliu ishte njëri nga lexuesit më të pasionuar të Bibliotekës së Gjilanit.