Prodhohen suvenire me imazhet e dokumenteve më të rëndësishme historike dhe kulturore shqiptare

Prodhohen suvenire me imazhet e dokumenteve më të rëndësishme historike dhe kulturore shqiptare

Kultura December 30, 2020 - 14:08

Janë prodhuar suvenire me imazhet e dokumenteve më të rëndësishme historike dhe kulturore, që ruhen në fondin e Arkivit Qendror Shtetëror në Shqipëri.

Këto janë suveniret e para të prodhuara nga një institucion shtetëror me imazhet e trashëgimisë sonë dokumentare që ruhet në fondin e Arkivit Qendror Shtetëror dhe që secili mund t’i blejë prej këtij fundviti.

Në një njoftim për media, bëhet e ditur se Akti i Pavarësisë së Shqipërisë në disa variante, sete zyre ose të përdorimit të përditshëm deri në riprodhimin artizanal të Kodikut të Beratit, mund të gjendet në kënd.

Kjo është një nismë që synon promovimin e vlerave arkivore që DPA-ja administron dhe që realizohet përmes riprodhimit të disa prej objekteve simbol të trashëgimisë ose mbishkrime dokumentesh dhe fotografi me rëndësi historike.

“Pasuria arkivore jona është e pafundme. Këtu ne kemi vetëm suportet, por përtej këtyre që ne kemi prodhuar, imazhet që vendosen mbi suporte i vendos edhe vetë individi, duke e personalizuar suvenirin e tij. Kështu nuk përqendrohemi vetëm tek imazhet që kemi kemi përzgjedhur në mënyrë simbolike, siç janë deklarata e pavarësisë, firma e Ismail Qemalit, kodikët, fermanët, medaljonin e Kamenës, dekorata në kohën e Zogut.

Këto suvenire do të prodhohen vetëm nga ato mjete financiare që prodhon vetë shitja e tyre. Çdo suvenir i blerë nga një qytetar do të prodhojë një suvenir të ri, pa harxhuar asnjë qindarkë nga buxheti. 10% e çdo suveniri do të shkojë për në buxhetin e shtetit, për t’u përdorur aty ku ka nevojë!", citohet të ketë thënë drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido.

Kështu risi absolute është fakti që cilido qytetar mund të porosisë suveniret me imazhin që ai do të dëshironte të kishte dhe për vetëm një javë, ai do të jetë gati dhe mund t’i shkojë me postë kudo në Shqipëri.

Këtë mund ta bëjë fizikisht në sallën e studimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave ose online në: https://suvenire.arkiva.gov.al/, faqe në të cilën çdo qytetar mund të shohë objektet me detajet respektive dhe mund ta porosisë online atë që dëshiron ta blejë.

Motoja e kësaj nisme me rëndësi për arkivat është “Dhuro HISTORIË” pasi çdo gjë që ruhet në fondet e Arkivit Qendror Shtetëror është pronë e cilitdo qytetar dhe cilido që dëshiron mund ta ketë atë në rrugë, në zyrë ose në shtëpi. /Zëri