Recensim i librit “Një tragjedi Amerikane”

Recensim i librit “Një tragjedi Amerikane”

Kultura April 23, 2021 - 15:05

Recension i librit “Një tragjedi amerikane” nga Theodore Dreiser, ekzemplari i botuar nga Signet Classics më 2010 në New York.

Nga Faruk Mustafa

Libër mbi ëndrrën amerikane. Autori paraqet ëndrrën amerikane, më saktë anën e shëmtuar të saj, përmes protagonistit kryesor, i cili është një naiv, i pashkolluar por shumë ambicioz. Dhe derisa mundohet të ngjitet lart në statusin shoqëror, shpaloset tërë çmimi që duhet të paguhet për të arritur atje.

Prandaj ky libër është odë, jo për ata që e kanë arritur, por për ata që kanë dështuar në këtë rrugëtim.

“Një tragjedi amerikane” është moshatare me “Great Gatsby”. Por derisa e dyta paraqet glamurin, dritat, buzëqeshjen, e para është për sakrificën, vuajtjet dhe dështimin. Pra, e dyta është himn për suksesin, e para është elegji për dështimin. Protagonisti ec në mes glamurit që nuk e arrin aq lehtë, dhe mjerimit, që po ashtu nuk i ikën lehtë. Në fund, protagonisti, kur i harxhohen mundësitë, dështon.

Në vend të ëndrrës amerikanë, që aq shumë e kërkoi, ai bie në makthin amerikan, të cilit aq shumë i druhej. Tregimi paraqitet përmes protagonistit, Clyde Griffiths i cili lind në një familje plebenjsh që jetojnë si predikues shëtitës. Ata përveç që mezi mbijetojnë, Clyde duhet të duroj të këndoj himne e versete rrugëve, diçka që e turpëron pa masë. Babai i protagonistit është një person që jashtë fanatizmit fetar, nuk ka kurrfarë shkollimi fetar apo laik. Nëna e tij është motori kryesor i jetës por edhe ajo përveç energjisë së madhe, jashtë predikimit ajo nuk ka ndonjë përgatitje. Clyde fillon gjithnjë e më shumë të urrej këtë jetë dhe me të njëjtën masë të dojë jetesën e luksit. Ai urren prindërit e tij jo sepse janë të këqij po sepse janë të mjerë. Edhe ata edhe ‘klientët’ e tyre janë të mjerë. Të parët e kanë zgjedhur predikimin sepse nuk kanë mundur të merren me diçka tjetër. Ndërsa të dytët vinin në predikimet e tyre, jo sepse donin të dinin qëllimin e jetës, por sepse nuk kishin ku të shkonin tjetër.

Prindërit e protagonistit ishin pa shkollim në fe. I përsërisnin versetet e Biblës pa e ditur kuptimin e tyre të vërtetë. Dëgjuesit e tyre i kuptonin edhe më pak. E Clyde dëshiron të lirohet nga kjo me çdo çmim.

Ah, sikur të kish lindur në një familje tjetër, më të pasur, më ngritur. Protagonisti tani shikon çfarëdo shtegu të mundshëm që shpie kah suksesi. Atij i duket që me rritjen e ambicieve duhet zvogëluar skrupujt. Ai fillimisht punësohet si bartës i valixheve në një hotel. Menjëherë fillon me makinacionet, të njihet apo lidhet me njerëz më të lartë që ti ndihmojnë të ngjitet lart. Me kolegët e vet fillon të dal mbrëmjeve. Të shoqërohet me vajza. Të vozitet me vetura. Ëndrra amerikane fillon të duket më afër.

Në këtë kohë ndodh diçka që vërteton ateizmin e Clyde. Motra e tij pasi kishte ikur pakëz më herët me një mashkull tani kthehet në shtëpi e tradhtuar dhe shtatzënë. Si mund të ndodhte kjo te një familje që predikon puritanizëm? Sa vlen predikimi tani kur vet vajza e familjes ka fëmijë jashtëmartesor? Për të qenë hipokrizia edhe më e madhe, nëna e fsheh vajzën derisa ajo lind. Kjo tutje e zhgënjen Clyde mbi fetarizmin dhe e ngashënjen edhe më shumë për qëllimin me çfarëdo mjeti.

“Këta njerëz gjithmonë flasin se si një hyjni, një frymë e shenjtë, një perëndi i ka shpëtuar nga humnera dhe devijimi por asnjëherë nuk flasin se si ata e kanë ndihmuar apo shpëtuar dikë”.

Pas një aksidenti ku mbetet e vdekur një vajzë, Clyde largohet nga qyteti i lindjes dhe ik diku tjetër që t’i ik burgimit eventual. Në një qytet tjetër gjen punë ku rastësisht takohen me xhaxhain e tij, që është antiteza e babait. Xhaxhai është i pasur, pronar i një fabrike, ka mundësi të bisedës jashtë fesë, di për jetën, është i martuar, ka shtëpi në një lagje të mirë dhe rroba të mira. Krejt ato që i ëndërron Clyde.

Xhaxhai i tij duke qenë larg tyre për një kohë të gjatë mezi e njeh. Duke ndjerë një simpati familjare e fton Clyde që të punoj për të. Këtë ofertë e pranon menjëherë. Clyde tani ka një punë për të qenë, rroba të mira dhe larg nga qyteti e familja e vet e mjerë. Ëndrra amerikane tani duket akoma më afër.

Në fabrikë Clyde, duke qenë familjar i pronarit, përfiton nga emri dhe ka një status më të lartë. Duke u veshur mirë i del në pah edhe bukuria e tij. Aty njoftohet me një punëtore dhe fillojnë një aferë dashurie prej së cilës punëtorja mbetet shtatzënë. Tani Clyde shoqërohet me njerëz që ka dashur, vesh rroba të mira dhe ka punë të mirë. Ai përveç kësaj ftohet nëpër ndeja ku vijnë njerëz të kamur. Në njërën nga këto ndeja ai njoftohet me një vajzë të një dere të madhe dhe shumë të pasur. Ajo është edhe e bukur por kjo është më pak e rëndësishme. Më e rëndësishme është që ajo personifikon tërë atë që Clyde ka dashur kaq shumë e për kohë aq të gjatë. Për më tepër edhe vajza e pasur tregon interesim në Clyde. Ata ngadalë fillojnë të shoqërohen derisa edhe bëhen dashnorë.

Clyde tani po e prek ëndrrën amerikane.

Ajo është aq afër. Veç edhe deri sa Clyde të bëjë vendin e vet në të. Por këtu është një rreng. Clyde askujt nuk i ka treguar kush është në të vërtetë e as prejardhjen e tij.

Pse ta bëjë këtë kur ka mundësi të bëjë një jetë të re, nga fillimi, e jeta e mëparshme të jetë veç kujtim i keq? Kjo bëhet lehtë. Por rrengu tjetër është pak më i rëndë, dashnorja tjetër e tij shtatzënë.

Tani Clyde është në mes dy poleve që personifikohen në dy vajza. Njëra, vajza punëtore shtatzënë me Clyde, që është barrë për këtë të fundit. Tjetra, vajza e pasur përmes së cilës Clyde synon vendin e vet në shoqëri. Njëra është gjendja nga e cila Clyde arratiset, tjetra është gjendja ku ai dëshiron të arrij patjetër. Vetëm se si? Kjo e torturon Clyde. Jo ndjenjat, jo përdëllimi e as empatia. Clyde nuk e ka luksin të mendoj për to.

Vajza punëtore është shtatzënë me fëmijën e Clyde dhe aq shumë lëngon për të

ndërsa vajza e pasur nuk është e sigurt nëse e do në atë masë apo nëse i siguron lumturi. Por kjo nuk ka rëndësi, Clyde duhet të gjej ‘zgjidhje’. Nuk është mundimi se cilën të zgjedh, por si të lirohet nga vajza punëtore. Ajo tani bëhet pengesa finale. Nga ana e vet Clyde as nuk e do vajzën e pasur e as nuk e urren vajzën punëtore. Ai thjesht duhet të gjej një ‘zgjidhje’.

E tani ëndrra amerikane është sa afër aq edhe larg. Këto momente e torturojnë Clyde sa nuk bëhet. Pse duhet të ndodh kështu, pikërisht tani që është një zgjatje dore nga ëndrra amerikane? Këtë ja kishte premtuar vetes:- se do të arrinte sukses. Jo për shkak të jetës më të mirë po për shkak të hakmarrjes për tërë ato vraga që i kishin mbetur nga jeta e mëparshme.

Në këtë kalvar shpirtëror Clyde e sheh në gazeta një ngjarje, një vrasje më saktë. Një njeri e kishte fundosur dashnoren e tij pasi nuk kish mundur të lirohet ndryshe nga ajo që të lidhet me një dashnore tjetër më të pasur. Clyde e lexon lajmin dhe kundër dëshirës së tij mendja e cyt që të bëjë të njëjtën. Të vras vajzën punëtore. Pse jo? Pasi nuk ka zgjedhje tjetër e Clyde duhet patjetër të martohet me vajzën e pasur. Po a nuk do të bënte secili kështu? Pse jo Clyde? Pse jo tani? Por, por, edhe nëse vendos të bëjë këtë, a do të ketë aftësi? A do të ketë guxim?

Tani kalvari i rëndon edhe më shumë në shpirt. Kështu, në këtë torturë Clyde sorollatet sa rrugëve sa në shtëpi. Derisa e ndan mendjen. Duhet të bëjë këtë, duhet të lirohet. Nuk duhet të ligështohet në këtë moment vendimtar. A ka ecur tërë këtë rrugë, duruar tërë ato nënçmime që tani të dështoj.

Clyde organizon një udhëtim në një liqen së bashku me vajzën punëtore. Me disa pështjellime me emra të rremë e duke ndërruar hotele mundohet të mos lejë gjurmë. Dhe tani është në liqe, në barkë, vetëm ai dhe vajza punëtore. Tani veç mbetet të bëj atë ‘që duhet’ dhe portali drejt një jete më të mirë është i hapur. Pak me qëllim e pak me aksident kjo edhe ndodh. Clyde së pari godet vajzën e pastaj e kthen barkën përmbys duke e fundosur.

Por për ironi të fatit policia shumë shpejt e gjejnë dhe e arrestojnë. Në gjykim dënimi i tij është I lehtë. Turmat e njerëzve, duke ditur krejt tregimin, ushqejnë një urrejtje frenetike ndaj Clyde. Dhe pas një procesi të gjatë Clyde dënohet me vdekje. Tani duke pritur ekzekutimin në vizitë i vjen nëna e tij. Po çka mund të ndihmoj ajo, ashtu e varfër dhe e padijshme që ishte.

Duke pritur vdekjen Clyde e nëna e tij e shohin njëri tjetrin si viktimë. Nëna e sheh djalin si viktimë që do të vdes së shpejti për shkak të një gabimi, devijimi nga rruga e Zotit.

Djali e sheh nënën si viktimë të injorancës së vet, duke jetuar në mjerim kurrë pa i njohur bukuritë e botës dhe jetës, pa qenë madje e vetëdijshme për këtë.

Por edhe në këto momente Clyde nuk pendohet. E di se ky ka qenë fati i tij. Nuk ka mundur ndryshe. Clyde nuk ka mundur të jetojë si familja e tij. Ai është dashur të mbërrij ëndrrën amerikane. I vetmi gabim është që nuk ka arritur të fsheh vrasjen. Jo pse ka arritur deri këtu, keqardhja është pse nuk shkoi tutje.

Prandaj tragjedia amerikane është një tragjedi e dëshirës, tragjedi e ambicies, e jo e vrasjes së një vajze. Clyde e vret të dashurën shtatzënë, Robertën, vetëm pasi nuk arriti të lirohet nga ajo në tjetër mënyrë. Ai nuk e urrente atë. Ai nuk ndjente asgjë ndaj Robertës, madje edhe pasi ishte dënuar me vdekje. Por në anën tjetër as nuk e dashuronte vajzën e pasur, Sondrën. Ai e donte atë që ta kishte si trofe. Posedimi i saj ishte status i dëshiruar e lënia e Robertës ishte arratisje nga një gjendje e urryer.

Shkurt Clyde duke ndjekur ëndrrën amerikane bie në makthin amerikan. Protagonisti e la atë që e urrente por nuk e arriti atë që e donte. Kjo ishte tragjedia. As vdekja e Clyde në fund nuk është tragjedi. Ajo është e parëndësishme. Fundi logjik pasi kishte dështuar.

Protagonisti i romanit ka ngjashmëri të madhe edhe me dikë tjetër – me vet autorin e romanit.

Njëjtë sikur Clyde, edhe Theodor Dreiser kishte lindur në një familje të varfër me prindër fanatic fetar dhe të dështuar në çdo fushë tjetër të jetës. Dreiser më vonë ja kishte dalë si gazetar italentuar. Por rruga deri te suksesi i kishin lënë atij plagë të shumta. Derisa kishte arritur famën Dresier në shumë raste ka përjetuar përçmimin dhe lëçitjen. Prandaj dhe autori e kupton më së miri lëngimin e protagonisti.

Përndryshe vepra është publikuar në të njëjtin vit kur është publikuar edhe “The Great Gatsby” nga F. Scott Fitzgerald, 1925. Ndoshta rastësi ironike por këto dy romane janë antiteza të njëra tjetrës. Të dy romanet paraqesin jetën amerikane, por derisa Gatsby e paraqet Amerikën si vend të mundësive ku gjithçka mund të arrihet nëse punohet me zell, Dreiser e paraqet Amerikën si vend ku mundësitë nuk janë krejt të barabarta, ku dikush është më i favorizuar nga rrethanat dhe ku ëndrra amerikane nuk është krejt si tregohet. Pastaj ngjarja në Gatsby zhvillohet gati gjithmonë në rrethe të pasurve, ndërsa te Tragjedia zhvillohet mes të kamurve dhe të varfërve.

Një cilësi e veprës është natyralizmi. Ngjarjet, njerëzit e rrjedhat e shoqërisë përshkruhen ashtu si janë, pa u ndryshuar e pa u gjykuar, për shembull libri përshkruan ngjarjet fare në hollësi edhe kur ato duken të tepruara. Paraqitet theksi i të folurit sikurse kur shoku i Clyde flet me theksin e New Jersey (Den all you gotta do is to turn on de lights in de batroom (e jo forma letrare “then all you got to do is to turn on the lights in the bathroom”), apo kur Sondra i flet Clyde me gjuhën e llastuar “How is my pheet phing (sweet thing) apo kur nëna e Clyde flet me gjuhën trashanike provinciale me

gabime gramatikore. Pra letërsia të jetë ‘natyrale’ që të arrij te lexuesi dhe sa më shumë ti

përmbahet të vërtetës.

Një tipar dallues i veprës është përsëritja e shpeshtë e fjalëve që të theksohet diçka: “ai kurrë, kurrë,

nuk do të martohej me Robertën (454), “asaj nuk duhej ti shkonte mendja se do ta detyronte, jo, jo, jo” (488) e shumë të tjera.

Një tjetër tipar i librit është erudicioni dhe përpikëria e autorit që janë mbresëlënëse. Ai flet për dallimet sociale dhe ndikimin e tyre jo vetëm në jetët e njerëzve por dhe në perceptimet e tyre mbi botën. Ai flet me po të njëjtën mprehtësi edhe se si pasuria i bën të skamurit të shohin të pasurit:

“Të pasurit e prishur! Të pasurit parazit! Të pasurit e llastuar dhe djallëzuar...” (543).

Hiq më pak impresive nuk është njohja e procedurave dhe gjuhës gjyqësore. Autori e stis në libër një proces gjyq të mirëfilltë. Mbledhja e fakteve gjatë hetimit, paraqitja para gjykatës, disponimi i turmave në ngjarje të tilla, betejat gjyqësore, kalimi herë si mbrojtës e herë si prokuror tregon që autori i ka kushtuar kohë dhe vëmendje gjithë aspekteve të kësaj fushe.

Pastaj gjuha, niveli i shprehjes dhe theksin që përdorin karakteret e bëjnë librin me më shumë ngjyra dhe leximin më tërheqës. Prandaj Times New Magazinë e përfshin librin në 100 veprat më të rëndësishme moderne amerikane.

Përndryshe libri, marrë parasysh vëllimin, duhet lexuar brenda një kohe të shkurtë, përndryshe humb magjia. Intensiteti i shkrimit, përshkrimi në detaje, psika e personave, relievi shoqëror, të gjitha këto zbehen nëse leximi zgjatet. Çdo pjesë është aq e lidhur me tjetrën sikur një lum. Duke kaluar nëpër rreshta hyn në ngjarje, pastaj pa e ndje hyn në tjetrën, e kështu me radhë e kështu deri në fund.