Klosi: Festivali UNUM, reklama më e mirë për turizmin shqiptar
Foto: Laura Hasani

Klosi: Festivali UNUM, reklama më e mirë për turizmin shqiptar

Kultura May 31, 2021 - 15:17

Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit i Shqipërisë, Blendi Klosi, sot ka mbajtur një konferencë të përbashkët me organizatorët e festivalit UNUM.

Klosi ka falënderuar organizatorët e festivalit, për të cilin festival ka thënë se po ndihmon që në Shqipëri jo vetëm të rritet turizmi, por edhe të bashkohet rinia nga të gjitha trevat shqiptare, raporton Zeri.info.

Ministri shqiptar ka bërë të ditur se Qeveria shqiptare do të garantojë siguri, në mënyrë që UNUM-i të mbahet duke respektuar protokollin anti-COVID.

“Si një platformë e gëzimit të rinisë shqiptare, në emër të Qeverisë do të doja të garantoja që do të respektohen të gjitha protokollet e sigurisë së këtij festivali. UNUM-i do të shërbejë si një reklamë e mirë për turizmin në Shqipëri. UNUM-i festival është i përmasave evropiane”, ka thënë Klosi.

Në pyetjen e moderatorit të Radio Prishtinës, Nazim Maxhuni - DJ MiM, se a do të përkrahen edhe festivalet e tjera, Klosi ka thënë se strategji e Ministrisë së Turizmit është organizimi i sa më shumë festivaleve rinore në Shqipëri.

“Ne kemi pasur në plane dhe strategji të Ministrisë që të organizojmë festivale rinore të suksesshme. Në vitin 2019 ishin më shumë se shtatë festivale në Shqipëri, 2020-a na goditi dhe këto festivale nuk mund të ishin përsëri dhe besoj që sinjalet e mira që vijnë nga UNUM-i në Shëngjin do të kemi mundësinë që të vazhdojmë fort me organizimin e festivaleve”, është përgjigjur Klosi.

Kujtojmë se festivali UNUM këtë vit mbahet në plazhin “Rana e Hedhun” në Shëngjin nga 3 deri më 7 qershor dhe do të mbledhë emra të njohur të muzikës elektronike. /Zëri