Kastriot Tusha e Isak Shehu ia rikthyen normalitetin publikut prizrenas
Foto: Komuna e Prizrenit

Kastriot Tusha e Isak Shehu ia rikthyen normalitetin publikut prizrenas

Kultura June 16, 2021 - 16:50

Në kuadër të aktiviteteve që u zhvilluan për nder të 143-vjetorit të themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe Çlirimit të Prizrenit, të premten mbrëma në “Kino Lumbardh” në Prizren, performuan artistët e Orkestrës Filharmonike të Universitetit të Arteve të Bukura të Tiranës “Ibrahim Madhi”.

Me këtë rast, kryetari i komunës nikoqire, Mytaher Haskuka, deklaroi se ndjehet i lumtur që pas një kohe shumë të gjatë të mbylljes nga pandemia, që qytetarët patën mundësinë të kënaqen me performancën spektakolare të dirigjentit Prof. Isak Shehu, tenorit Kastriot Tusha, soprano Ardita Meni dhe Genita Hoxha.

“Qyteti ynë gjithmonë ka pasur artistë të vlershëm në të gjitha llojet e artit, ndërkaq, sot numëron rreth 70 artistë të pikturës, të cilët me punimet e tyre po e promovojnë Prizrenin. Bashkëpunimin ma ta, si Komunë e Prizrenit do ta vazhdojmë edhe në të ardhmen, në mënyrë që punimet e tyre të ekspozohen sa më shumë në publik”, tha Haskuka.

Dyshja Tusha dhe Meni interpretuan si është më së miri veprat e paharruara muzikore “Moj e bukura Arbëri”, por edhe “Agimet shqiptare”, vepër kjo e kompozitorit Avni Mula.

Orkestra Filharmonike e Universitetit të Arteve të Bukura të Tiranës “Ibrahim Madhi” u paraqit në mënyrë mbresëlënëse me 15 vepra, të përcjella me melodi të njohura shqiptare, por edhe botërore.

Publiku ishte pothuajse gjatë gjithë kohës nën përcjellje të performuesve, në veçanti kur u dëgjuan tingujt e këngëve “Margjelo” e “Ta dish”.

Edhe instrumentistja nga Kosova, Genita Hoxha, u paraqit me performancën me piano të “Koncertit në A-dur, koha e II-të” e kompozitorit Wolfgang Amadeus Mozart.

Ndërkaq tenori Tusha interpretoi edhe “O Prizren o i bukuri vend”, i cili solli emocione të shumta për publikun.

Orkestra Filharmonike e Universitetit të Arteve të Bukura të Tiranës “Ibrahim Madhi”, në këtë koncert u paraqit edhe me këngë tjera të njohura shqipe, ndërkaq në mbyllje u interpretua “Rrjedhë në këngë e ligjërime”.

Ndërkaq të shtunën në Qendrën “Europa”, u mbajt edhe ekspozita “Salloni Pranveror i Artit”, i artistëve të ndryshëm të Prizrenit, ku u ekspozuan lloje të ndryshme të arteve, duke filluar nga arti abstrakt, deri në artin me vaj, me pamje të Prizrenit. /Zëri