Fotoja e rrallë e vitit 1934, Musine Kokalari dhe Drita Kosturi studente në Universitetin e Romës

Fotoja e rrallë e vitit 1934, Musine Kokalari dhe Drita Kosturi studente në Universitetin e Romës

Kultura June 25, 2021 - 10:51

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell në vëmendje foton e dy intelektualeve të burgosura nga diktatura komuniste, Musine Kokalari dhe Drita Kosturi.

Në memorien e Arkivit është gjendur një foto e rrallë e dy studenteve të Universitetit të Romës. Në një ditë si kjo e sotmja, më 25.06.1934 kanë dalë në fotografi Musine Kokalari dhe Drita Kosturi.

Musine Kokalari dhe Drita Kosturi, dy mike, studente të Universitetit të Romës, e para për letërsi dhe filozofi, e dyta për mjekësi, dy idealiste që donin me shpirt progresin e Shqipërisë së molisun të asaj kohe.

Por, kjo nuk “mjaftonte “për regjimin, i cili u dha si “shpërblim” dhjetra vite burg dhe internim. Megjithëkëtë, qëndresa e tyre ishte dinjitoze.

Është e pashembullt sfida që Musineja i bëri trupit gjykues. “…Unë mendoj ndryshe nga ju,por e dua vëndin tim. Ju po më dënoni për idetë e mia. Unë nuk kërkoj falje, sepse nuk kam bërë asnjë faj!”- do të shprehej ndër të tjera ajo.

Kurse Drita, si mjeke që ishte, u bënte shërbim të burgosurve të sëmurë dhe të tjerëve që dilnin nga qelitë me kocka të thyera…Për këtë ka shkruar me admirim dhe At Zef Pllumi tek “Rrno për me tregue”, ku ndër të tjera fikson në libër dhe një amanet që Padër Pali i len At Zefit për Dritën:

“Sakrificat e saj për mue, kurrë nuk do t’i harroj. Po të porosis që, në kjoftë se vjen ndoniherë dita e lirisë, ajo duhet konsiderue si mike e Urrdhnit Françeskan”. /atsh