Të rinjtë shqiptarë paragjykojnë traditën
Foto: Ansambli Artistik “Haziz Ndreu” 'Nderi i Kombit' / Facebook

Të rinjtë shqiptarë paragjykojnë traditën

Kultura June 25, 2021 - 11:34

Në një kohë ku shoqëria shkon drejt globalizmit dhe modernizimit, në Shqipëri ka ende grupe-ansamble që ruajnë dhe ndajnë traditat dhe vlerat popullore nëpër botë.

I tillë është “Ansambli Artistik Haziz Ndreu, Nderi i Kombit”.

Koreografi i ansamblit, Avni Ndreu thotë se ansambli ka përfaqësuar Tiranën në mbarë Shqipërinë por edhe në festivale ndërkombëtare, si ai i Italisë, Aviano, ku grupi ishte përfaqësues i Evropës, midis grupesh të ndryshme ndërkombëtare. Gjithashtu grupi ka marrë çmimin e parë në festivalin e Sofrës Dibrane, i cili u zhvillua para rreth një jave.

“Kemi përfaqësuar Tiranën në mbarë kombin tonë, në festivale ndërkombëtare, duke marrë çmime. Para 1 jave kemi marrë pjesë te Sofra Dardane dhe kemi marrë çmimin e parë. Kemi marrë pjesë në festivalin italian në Aviano. Në festival merrte pjesë Rusia, Afrika, Shri Lanka dhe ne si Shqipëri ishim përzgjedhur të përfaqësonim Evropën”, ka thënë Ndreu për “Oranews”.

Koreografi pohon se vallet shqiptare janë unike dhe se gjithmonë e bëjnë diferencën nëpër botë.

“Struktura e kërcimit popullor shqiptar është dy hapa para kërcimit klasik botëror, sepse është identiteti i vetë shpirtit të një kombi, siç jemi ne. Folklori, tradita shqiptare është më e dalluara në botë. Unë kam frikë kur konkurroj në Shkup e në Tiranë. Kur konkurroj jashtë nuk kam frikë, sepse e di që lëvizjet, kostumet, bukuria jonë është e veçantë. Marrim shumë komplimente, ‘jeni grup unik’ na thonë”, shprehet koreografi Ndreu.

Valltarja soliste e ansamblit, Erida Stana thotë se të huajt i pëlqejnë vallet shqiptare dhe se sjellja e mirë e grupit i ka lënë të huajve përshtypjet më të mira.

“Sjellja jonë është pëlqyer nga të huajt. Na kanë thënë se nëse shqiptarët janë kështu, ne duam të vijmë në Shqipëri”, shprehet Stana.

Valltarja i referohet pjesës së të rinjve shqiptarë dhe se sa paragjykues janë ata në lidhje me traditat.

“Të rinjtë janë paragjykues ndaj valleve popullore, por ne në ansambël kemi shumë fëmijë që janë futur në grup dhe nuk duan të largohen më, sepse kuptojnë se ku kanë rrënjët, traditën e tyre. Është diçka që të buron nga zemra dhe jo e huazuar”, theksoi valltarja Stana.

Valltari Ergys Doçi shton se të rinjtë i pëlqejnë traditat, por ngurojnë t’i shfaqin dhe se iu duhet shumë punë për ta shfaqur kërcimin popullor. “Të rinjtë duan shumë punë që ta shfaqin kërcimin popullor. E kanë me turp, ose me siklet”, potencoi ai.