“Amatorë të pandreqshëm!”, Artan Fuga: Paraardhësit tanë të hershëm janë Ilirët, por origjina nuk duhet ngatërruar me identitetin

“Amatorë të pandreqshëm!”, Artan Fuga: Paraardhësit tanë të hershëm janë Ilirët, por origjina nuk duhet ngatërruar me identitetin

Kultura July 09, 2021 - 18:10

Akademiku i njohur Artan Fuga ka ngritur në fokus çështjen në lidhje me origjinën e shqiptarëve.

Përmes një postimi në ‘Facebook’ pedagogu thekson se diçka krejt tjetër është origjina dhe tjetër identiteti i një populli.

Ai shprehu bindjen e plotë të shumë provave se paraardhësit tanë janë ilirët.

“Origjinat ilire, nuk përjashtojnë aspak kryqëzimet me popujt dhe kulturat e tjera. Sa është bërthama e mbetur origjinale dhe sa është shkalla e huazimit dhe e kryqëzimit kjo është një çështje e gjerë dhe e gjatë. Por origjina nuk duhet ngatërruar me identitetin sikurse e bëjnë këtë disa pseudoshkencëtarë që diplomën universitare e kanë për gjë tjetër dhe titullin profesor a akademik e kanë në një fushë tjetër. Amatorë të pandreqshëm.”, shkruan Fuga.

REAGIMI I FUGËS
Tjetër origjina dhe tjetër identiteti
Unë kam bindjen e provave të shumta që paraardhësit tanë të hershëm në origjinë janë Ilirët. Me shumë se prova arkeologjike më bindin ato gjuhësore dhe historike. Arkeologjikisht nuk kam ende ndonjë besueshmëri në provat e sjellura. Por mbase gabohem dhe nuk e di mirë këtë aspekt.
Por, tjetër është origjina aq sa njohim, dhe tjetër të thuash se ne rjedhim ekskluzivisht nga ilirët. Tjetër është koncepti i origjinave dhe tjetër koncepti i identitetit.
Në albanologji, që vuan mungesën e filozofisë, sepse albanologët kurrë nuk e kanë dashur filozofinë dhe nuk kanë hapje drejt saj, nuk është bërë si duhet dallimi midis origjinave dhe identitetit. Madje jo pak i bëjnë çorap këto dy koncepte.

Këtij gabimi i bashkëngjitet edhe një i dytë; ai i linearitetit historik. Nga ilirët direkt te arbërit dhe te shqiptarët. Ky kuptim linear i historisë identitare është ideologjik, përjashtues dhe nuk u përmbahet fakteve.

As nuk mund të mendohet që gjatë historisë stërgjyshërit dhe stërgjyshet tona nuk janë kryqëzuar me helenë, me romakë, sikurse tregojnë shumë stela varresh, a dokumenta gjendjeje civile, nuk janë kryqëzuar me sllavë, bullgarë, maqedonas, serbë, malazezë, etj, pastaj me turq për t’u mjaftuar te ata që kanë jetuar me shekuj në këto treva si kalimtarë, pushtues, a sundues.

Padyshim që ne jemi të prejardhur nga këto kryqëzime genetike, kulturore, lingusitike, arkitekturore, etj.
Ndryshe kush kërkon pastërtinë e linjës iliro-arbëre-shqiptare do të thyejë hundët para fakteve madhore që ndajnë ideologjinë nacionaliste shqiptare nga të vërtetat shkencore.
Merita e bërthamës ilire është forca e saj që pavarësisht se këtej kanë kaluar kultura të mëdha që kanë shenjuar racën njerëzore si helenike, romake, ostrogote, sllave, osmane, etj., ka ditur të vetëruhet, të mbijetojë, të marrë dhe të japë në mijëra vite pa u shuar, por duke u transformuar, përshtatur, rinovuar. Madje, jo vetëm që nuk ka humbur, por ka arritur t’i fusë brenda lëvozhgës së vet gjuhësore të ardhurit e mbetur këtu si minoritete helene, greke, romake, sllave, ostrogote, turke, madje edhe hebre.

Kjo është madhështia e saj. Por sa për kryqëzime gjenetike, gjuhësore, kulturore, njerëzore, racore me të tjerët nuk mund të thuhet se jemi veçmas popujve të tjerë që edhe ata janë produkt kryqëzimesh dhe emigrime kulturash.
Nuk erdhën hebrenjtë në Romë, nuk u përzjenë helenët me romakët, nuk u përzjenë arabët me spanjollët, nuk u përzjenë francezët me algjerianët, marokenët, etj., nuk do të përzjehen gjermanët me sirianët, e pa fund fakte të mëdhenj historikë?

“Gjaku i pastër” është një budallallik racist!
Prandaj origjinat ilire, nuk përjashtojnë aspak kryqëzimet me popujt dhe kulturat e tjera. Sa është bërthama e mbetur origjinale dhe sa është shkalla e huazimit dhe e kryqëzimit kjo është një çështje e gjerë dhe e gjatë.
Por origjina nuk duhet ngatërruar me identitetin sikurse e bëjnë këtë disa pseudoshkencëtarë që diplomën universitare e kanë për gjë tjetër dhe titullin profesor a akademik e kanë në një fushë tjetër.
Amatorë të pandreqshëm. /balkanweb