Festivali Ndërkombëtar për Artiste dhe Aktiviste “FemArt” do të mbahet më 20-25 Shtator

Festivali Ndërkombëtar për Artiste dhe Aktiviste “FemArt” do të mbahet më 20-25 Shtator

Kultura July 09, 2021 - 18:30

Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet sjell edicionin e 9-të të festivalit të parë dhe të vetëm feminist në Kosovë dhe më të madhin në rajonin e Ballkanit, FemArt, në datat 20 – 25 shtator, 2021 me moton “F... Sexism". Ky festival do të bashkojë të gjitha komunitetet nga mbarë bota në një vend për të krijuar dhe prezantuar artin e tyre, thuhet në njoftimin e Femart Festival.

Njoftimi i plotë:

Hej, F... Seksizmit, edhe tung

Si ekip, kolektiv, njerëz diversë, gra, e në veçanti si pjesë e platformës unifikuese siç është Artpolis, ne jemi të lumtur t’iu njoftojmë se edicioni i ri i Festivalit FemArt po vjen. Festivali FemArt është platformë ku artistët/artistet dhe aktivistët/aktivistet mblidhen për të revolucionarizuar artin ashtu që të transformojmë status quo-në duke shkatërruar normat e strukturat patriarkale. Por, ne gjithashtu transformojmë atë që ka filluar për një të tashme të jetueshme dhe një të ardhme më të mirë.

Përgjatë edicioneve tona të kaluara nuk është që ne thjeshtë kemi destabilizuar, por gjithashtu kemi shkatërruar status quo-të, normat dhe strukturat e dëmshme. Progresi nuk është asnjëherë i lehtë. Por, siç thotë Rosa Luksemburg: "ata që nuk lëvizin, nuk i vërejnë zinxhirët e tyre". Ne si ekip i Artpolis dhe organizatorë/e të FemArt jemi të përkushtuar/a t'i këpusim zinxhirët. Deri kur edhe hallka e fundit shtypëse të shkëputet dhe shkatërrohet në copëza, derisa zinxhirët tanë të mos zhduken, lufta jonë nuk ka përfunduar.

Ky vit ka qenë plot humbje jetësh, humbje ekonomike, trazira shpirtërore dhe emocionale. COVID-19 e ka bërë jetën më të vështirë në çdo dimension të mundshëm dhe njëkohësisht ka shfaqur logjikën dhe mekanizmat e kalbur të sistemeve aktuale shtypëse. Seksizmi, racizmi, queerfobia ndër të tjera shkaktojnë vdekje. Sikur të mos mjaftonte pandemia globale, lajmet për dhunën seksuale, dhunën në familje dhe diskriminimin në vendet e punës, në institucionet arsimore, në rrugë dhe brenda shtëpive na kanë shqetësuar të gjithëve. Këto fenomene na kanë revoltuar dhe në të njëjtën kohë nxitur për të krijuar e vepruar. Seksizmi dhe shtypja kanë qenë këtu për një kohë të gjatë tashmë, dhe padyshim që nuk ka qenë një kohë e këndshme.

Ne jemi këtu për të qëndruar, kështu që “F... Seksizmit”. Ne besojmë në barazi në mes njerëzve. Ne njohim, pranojmë, çmojmë, festojmë dhe mbështesim dallimet. Ne qëndruam në solidaritet me njëri-tjetrin në edicionin tonë gjatë vitit të kaluar. Ishte kohë reflektimi, mirësie dhe kujdesi më shumë se gjithçka tjetër. Këtë vit fuqia jonë krijuese është thirrur në veprim për të luftuar padrejtësitë në emër të dallimeve gjinore. Artistë/e dhe aktivistë/e nga komunitetet lokale dhe ndërkombëtare do të mblidhen për të provokuar, frymëzuar dhe sfiduar në çdo mënyrë të mundshme realitetet aktuale seksiste. Nga shfaqjet, poezitë dhe vallëzimet, diskutimet dhe konferencat, deri në neja dhe rebelime, ne do të trajtojmë të drejtat e grave si të drejta të njeriut. Ne synojmë të mobilizohemi për t’ia futur seksizmit, si mënyra e vetme për të arritur barazinë politike, ekonomike, kulturore, personale dhe shoqërore.

Ne e pranojmë që “gruaja” si kategori gjinore nuk është kurrë fikse dhe e qëndrueshme. Gratë vijnë në trupa, mosha, raca, orientime seksuale, fe, klasa dhe etni të ndryshme, ndër të tjera. Ne kemi nevojë për të gjitha gratë që të heqim qafe patriarkatin dhe pasojat e tij traumatizuese dhe afatgjate. Dhe lufta nuk ka mbaruar derisa njeriu i fundit mes nesh është i lirë dhe i lumtur.

Këtë vjeshtë, gjatë ditëve tona të festivalit më 20-25 Shtator, 2021 me ndihmën e të gjithë aktivisteve dhe artisteve feministe, ne do të demonstrojmë fuqinë e veprimit kolektiv, mendimit kritik dhe rebelimit krijues. Përgatituni të shihni shfaqje, ekspozita, kërcime dhe këngë, panele diskutimi, podkaste përmes të cilave do të dekonstruktojmë seksizmin në të gjitha format e tij dhe do të mendojmë përmes veprimeve dhe mosveprimeve drejt një jete të barabartë për të gjithë, pavarësisht dallimeve tona si njerëz.

Siç do të thoshte edhe bell hooks, seksizmi kurrë nuk i ka bërë gratë të pafuqishme, ose ka shtypur forcën e tyre ose e ka shfrytëzuar atë. Duke e potencuar këtë gjë, ne ju ftojmë të pranoni, të mendoni, të jeni, të ndjeheni, të krijoni dhe të përdorni aftësitë tuaja në bashkëpunim me neve në mënyrë që të rimarrim kohën dhe hapësirën tonë të merituar sipas kushteve tona.

Hej, prapë F... Seksizmit, edhe kalofsh mirë

Ju faleminderit,

Ekipa e Festivalit FemArt