“Pa vend” nuk e merr “Palmën e Artë” në Festivalin e Kanës

“Pa vend” nuk e merr “Palmën e Artë” në Festivalin e Kanës

Kultura July 17, 2021 - 20:58

Filmi kosovar ”Pa vend” i regjisorit Samir Karahoda, fatkeqësisht, nuk ka arritur ta fitojë “Palmën e Artë” në Festivalin e Kanës.

Ndonëse sonte nuk e mori asnjë çmim, ky film kosovar korri sukses duke arritur që të futet në dhjetë filmat pretendentë për çmimin e parë në kategorinë e metrazhit të shkurtër që u përzgjodhën nga komiteti selektues i Festivalit të Kanës nga 3.739 filma nga mbarë bota.

“Pa vend” u mposht nga filmi “TIAN XIA WU YA (All Crows in the World)” i regjisorit TANG Yi, i cili mori “Palmën e Artë” në kategorinë filmit të metrazhit të shkurtër.

Regjisori Samir Karahoda, në një intervistë ekskluzive për Klankosova.tv, kishte folur për nominimin e këtij filmi për “Palmën e Artë”, duke thënë se ishte një ndjenjë jo e zakonshme si për të ashtu edhe për tërë ekipin.

Filmi “Pa vend” sjell rrëfimin e klubit të ping-pongut nga Prizreni, ‘Lidhja e Prizrenit’, duke sjellë ngjarjen në kontekstin e situatës aktuale. “Pa vend” tregon përpjekjet e dy protagonistëve të udhëhequr nga trajneri i tyre që të mbajnë sportin e ping-pongut gjallë.

Kujtojmë se xhirimet e këtij filmi kanë filluar në muajin shtator të vitit të kaluar dhe është filmi i dytë nga Kosova që arriti këtë sukses.