Cyrihu anulon “Alba Festivalin”, shkak mosvaksinimi i shqiptarëve

Cyrihu anulon “Alba Festivalin”, shkak mosvaksinimi i shqiptarëve

Kultura September 02, 2021 - 23:02

Më 4 dhe 5 shtator ishte planifikuar të mbahej në Cyrih festivali open-air shqiptar, “Alba Festival”.

Por, pas shumë lajmesh kontradiktore për dhe kundër mbajtjes së tij, në fund ka qenë Kantoni i Cyrihut i cili ka marrë vendimin për anulim.

Sipas arsyetimit të autoriteteve kompetente, anulimi bëhet për shkak të rritjes së numrit të infeksioneve me koronavirus në Zvicër.

Qeveria e Kantonit të Cyrihut ka vendosur të revokojë miratimin e dhënë më herët për Festivalin Alba 2021, thuhet në një njoftim të kësaj qeverie, të publikuar të enjten pasdite.

Ekzekutivi i kantonit shpreh keqardhje për këtë hap, por duke pasur parasysh rrethanat, ai nuk pa asnjë alternativë për këtë.

“Një ngjarje e madhe si Festivali Alba shkakton stres shtesë në spitale. Këshilli qeveritar dëshiron të shmangë një barrë të tillë shtesë për spitalet në situatën aktuale të ndjeshme”, thuhet në deklaratën e qeverisë kantonale.

Për më tepër, Festivali Alba i drejtohet kryesisht një komuniteti të prekur rëndë nga pandemia. “Rezultatet tregojnë se njerëzit që kthehen nga pushimet nga Ballkani janë më shpesh të infektuar me Covid sesa mesatarja”, shton më tej komunikata.

Qeveria kantonale mendon se është detyrë e saj që të "kundërshtojë rrezikun aktualisht në rritje të infeksionit në këtë grup të popullsisë dhe ta mbrojë atë”.

Njoftimi më tej thekson se edhe numri i të shtruarve në kujdesin intensiv është mbi mesataren i personave që kanë lidhje me Ballkanin. "Nga kjo mund të vijmë në përfundimin se shkalla e vaksinimkt në këtë grup të popullatës është shumë e ulët për të organizuar një ngjarje kaq të madhe në situatën aktuale epidemiologjike", ka theksuar qeveria kantonale e Cyrihut.

Ndërkohë, reagojnë edhe organizatorët. Ata kanë publikuar një deklaratë të parë në mbrëmjen e së enjtes, përcjell albinfo.ch. “Me befasi dhe trishtim të madh pranojmë vendimin e këshillit qeveritar për të tërhequr miratimin e dhënë për Festivalin Alba më pak se 48 orë para fillimit të festivalit. Ne tani po e shqyrtojmë këtë vendim nga pikëpamja ligjore dhe qëndrimin tonë do ta komunikojmë menjëherë”.

Këshilli qeveritar është shprehur se janë të vetëdijshëm se heqja e lejes për ngjarjen e madhe dy-ditore do të jetë zhgënjyese si për organizatorët ashtu edhe për vizitorët. Por ata janë të bindur se ky hap është i nevojshëm.

Në këtë festival, i cili për herë të parë është mbajtur në vitin 2019, ishte planifikuar prezantimi i shumë yjeve të muzikës së popullarizuar nga Kosova dhe Shqipëria, si: Ledri Vula, Elvana Gjata, Dhurata Dora, Elita 5 etj. Është pritur pjesëmarrja e mbi 20 mijë personave. /Zëri

Image