Poetja Maya Angelou: Gruaja e parë afro-amerikane në monedhën amerikane

Poetja Maya Angelou: Gruaja e parë afro-amerikane në monedhën amerikane

Kultura January 13, 2022 - 11:31

Thesari i SHBA-së ka prerë monedha me poeten Maya Angelou – gruaja e parë zezake e paraqitur ndonjëherë në monedhën amerikane 25-centëshe.

Angelou, poete dhe aktiviste, ishte gruaja e parë me afro-amerikane që shkroi dhe interpretoi një poezi në një inaugurim presidencial.

Monedhat janë planifikuar për gra të tjera pioniere, duke përfshirë një astronaute, një kryetare fisi dhe një aktore – si pjesë e programit “American women Quarters”.

Masa u përshëndet nga sekretarja e parë grua e thesarit në SHBA.

“Sa herë që ridizajnojmë monedhën tonë, kemi mundësinë të themi diçka për vendin tonë – atë që vlerësojmë dhe si kemi përparuar si shoqëri,” tha Janet Yellen në një deklaratë të hënën.

Maya Angelou (emri i vërtetë Marguerite Annie Johnson, 4 prill 1928 – 28 maj 2014), ishte poete, këngëtare, aktore, regjisorja e parë afro-amerikane në Hollywood, shkrimtare dhe aktiviste e të drejtave të njeriut. Si aktiviste, Angelou ka bashkëpunuar me Martin Luther King Jr. dhe Malcolm X, dy nga udhëheqësit kryesorë në luftën për të drejtat e njeriut dhe sidomos ato të afro-amerikanëve.

Me më shumë se 50 vjet veprimtari krijuese mbi shpinë, ajo është autore e shtatë librave autobiografikë, tri përmbledhjeve me ese, disa përmbledhjeve me poezi dhe e një sërë veprash teatrale, filmash dhe programesh televizive. Ka marrë dhjetëra çmime e mbi 50 diploma Honoris Causa.

Angelou është dalluar dhe si poete që ka thurur himne për bukurinë e grave zezake, forcën e tyre dhe shpirtin e tyre thellësisht njerëzor. Ajo njihet kryesisht për shtatë autobiografitë, të cilat rrëfejnë fëmijërinë dhe adoleshencën e saj.

Ndonëse janë bërë përpjekje të herëpashershme për të bllokuar qarkullimin e librave të saj në librari dhe biblioteka, veprat e saj studiohen gjerësisht në shkolla dhe në universitete, në të gjithë botën. Në lidhje me kategorizimin e prozës së saj, kritikët letrarë kanë mendime të ndryshme; disa e quajnë autobiografi të mirëfilltë, ndërsa të tjerë e konsiderojnë krijimtari letrare, që ka marrë shkas nga jeta e saj personale.

Në fakt, veprat e Angelou-t duket se përfaqësojnë një përpjekje të ndërgjegjshme për të sfiduar strukturën e zakonshme të autobiografive, duke e kritikuar, ndryshuar dhe zgjeruar këtë zhanër.

Thesari i ShBA-së planifikon të nxjerrë 20 monedha të tjera gjatë katër viteve të ardhshme, duke përshkruar gra të tjera amerikane që luajtën role të rëndësishme në historinë e vendit.

Monedhat janë planifikuar gjithashtu këtë vit për Sally Ride, astronauten e parë grua amerikane; Wilma Mankiller, shefen e parë grua e fisit Cherokee dhe aktivisten për të drejtat indigjene; dhe Anna May Wong, e cila konsiderohet të ketë qenë ylli i parë kinezo-amerikane e filmit në Hollywood./Grazeta/