Kadareja feston sot 86-vjetorin e lindjes

Kadareja feston sot 86-vjetorin e lindjes

Kultura January 28, 2022 - 18:24

Ismail Kadare feston sot 86-vjetorin e lindjes.

Ai u cilësuar si gjeniu i letrave shqipe madje veprat e Kadaresë janë botuar në 45 gjuhë.

Me këtë rast, Akademia e Shkencave mblodhi studiues shqiptarë e të huaj për veprat e Kadaresë.

Akademia e Shkencave për 86 vjetorin e lindjes së Kadaresë

Për akademikun francez Jean – Pul Champseix, veprat e Kadaresë dalin jashtë parimeve të realizmit socialist.

“Gjate leximeve të romaneve të Kadaresë, më dukej se transgresionet ishin të shumta. Që tek veprat e tij të para “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, dhe “Përbindëshi”, autori u bën bisht parimeve të realizmit socialist. Trishtimi dimëror, mungesa e heronjve me të cilët mund të identifikohesh, fundet fatkeqe të ngjarjeve nuk janë aspak në përputhje me realizmin socialist. Aty mungojnë krejt fryma e partisë, entuziazmi kolektiv dhe uniteti i çeliktë parti-popull. Për Kadarenë , rreziku nuk është shumë i madh sepse megjithëse unë jam munduar ta kontekstualizoj atë në periudhën e vet historike, vepra del nga kjo kornizë në sajë të cilësive të saj. Sepse me të vërtetë, Kadare ka shkruara kundër një regjimi në një periudhë të caktuar, por letërsia e tij ka burime të tjera”, tha Jean – Pul Champseix.

Kadare u lind më 28 Janar në vitin 1936 në Gjirokastër, të cilën ai e ka jetësuar përmes veprës ‘Kronikë në Gurë’.

Me Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur, emri i shkrimtarit u bë i njohur edhe jashtë kufijve. Vepra Pallati i ëndrrave vulosi suksesin e tij botëror.

Kadare ka marrë dhjetëra çmime prestigjioze letrare.

Në 2005 fitoi Man Booker International Prize, në vitin 2015 Çmimin Jeruzalem, e më 2019 presidenti francez, Macron i dha titullin “Komandant i Legjionit të Nderit”.

Kadare është nominuar për çmimin Nobel më shumë se 20 herë, por nuk ka fituar. Megjithatë, shpresa te shqiptarët nuk është shuar.

Edhe pse këtë vit akademia nuk e zyrtarizoi emrin e tij si kandidat, siç ka bërë çdo vit, ajo do t’ia dërgojë akademisë mbretërore suedeze në një tjetër moment./euronews