Premiera e filmit

Premiera e filmit "Elvis" në Festivalin e Kanës

Kultura May 21, 2022 - 21:37

Figura e Elvis Presley, ylli i parë i rrokut në botë, po kujtohet në Festivalin e Filmit në Kanë. Këngëtari legjendar ka ende një mori admiruesish në mbarë botën, dhe tani një biografi e re do të prezantojë Mbretin e Rock 'n' Roll-it tek një gjeneratë e re.

Elvis Aaron Presley lindi më 8 janar 1935, në Tupelo të Misisipit.

Në vitin 1948, Elvis u zhvendos me prindërit e tij në Memfis të Tenesisë, ku përfundoi shkollën e mesme në vitin 1953.

Një vit më vonë, ai filloi karrierën e tij muzikore me kompaninë e regjistrimit Sun Records në Memfis.

Kur kishte mbushur 21 vjeç, ai ishte një sensacion ndërkombëtar.

Pa asnjë nga privilegjet e veçanta që mund t'i kishte ofruar statusi i tij i famshëm, ai i shërbeu vendit me nder në ushtrinë amerikane, duke filluar nga viti 1958.

Pas dy vitesh shërbimi, Elvisi u kthye në studiot e regjistrimit dhe tek suksesi i tij.

Më 1 maj 1967, ai u martua me Priscilla Ann Beaulieu, të cilën e kishte takuar në Gjermani në vitin 1959, kur ajo ishte vetëm katërmbëdhjetë vjeç.

Ata lindën një vajzë të quajtur Lisa Marie dhe më pas çifti u divorcua në vitin 1973.

Deri më sot, Elvisi dhe muzika e tij - mbeten legjendarë.

Tingulli i tij kombinoi në mënyrë unike ndikimet e ndryshme muzikore në rininë e tij dhe sfidoi barrierat sociale dhe racore të kohës.

Në nivel global, Elvis ka shitur mbi një miliard disqe, më shumë se çdo artist tjetër.

Shitjet e tij amerikane i kanë dhënë atij çmimet më të larta për 150 albume dhe këngë të ndryshme.

Por karriera e Elvisit nuk ishte vetëm në muzikë.

Ai luajti në 33 filma të suksesshëm - përfshirë Jailhouse Rock në vitin 1957.

Midis shumë çmimeve të Elvisit ishin 14 kandidatura për çmimet Grammy, përfshirë tre fitore, nga Akademia Kombëtare e Arteve të Regjistrimit dhe Shkencave, dhe çmimin Grammy për arritjet e jetës, të cilin ai e mori në moshën 36-vjeçare.

Elvis vdiq në shtëpinë e tij në Memfis, më 16 gusht 1977. Ai ishte 42 vjeç.

Elvisi konsiderohet ende si një nga figurat më të rëndësishme të kulturës popullore të shekullit të njëzetë.

Ai adhurohet nga admirues të muzikës në mbarë botën dhe ka frymëzuar shumë imitues të figurës së tij.

Tani jeta e tij do të festohet në filmin e ri biografik i cili do të ketë premierën botërore më 25 maj në festivalin e 75-të të filmit në Kanë që u hap më 17 maj.

Kompania Warner Bros do të shfaqë premierën e filmit "Elvis", me regji të Baz Luhrmann me aktorët Austin Butler dhe Tom Hanks./VOA