Kastriot Tusha dhe Ardian Trebicka sjellin magji tingujsh për turistët në Pogradec

Kastriot Tusha dhe Ardian Trebicka sjellin magji tingujsh për turistët në Pogradec

Kultura July 25, 2022 - 09:37

Dy këngëtarët e mirënjohur, Ardian Trebicka dhe Kastriot Tusha, kanë dhuruar spektakël e magji tingujsh në qytetin liqenor të Pogradecit. Repertori i larmishëm i tyre ngriti në këmbë një publik të tërë duke kërcyer.

Premiera absolute e Ardian Trebickës dhe Kastriot Tushës ofroi një mbrëmje të magjishme për qytetarët dhe turistët në Pogradec.

Kompozitorja Diana Ziu në rolin e publikut në këtë koncert, vlerësoi këngëtarët dhe repertorin e tyre.

“Po shikoj që kjo atmosfera kaq e bukur krijon romantiken e vet kurse unë e shoh dhe nga ana profesionale. Kam ardhur sepse vërtet janë këngëtarë të mrekullueshëm dhe jam kënaqur”, tha Ziu.

Duartrokitjet ishin shpërblimi më i madh për këngëtarët Trebicka e Tusha, ndërsa të shumtë ishin vizitorët e huaj që shijuan tingujt muzikorë të tyre.

“Pogradeci dita ditës po bëhet një pikë e rëndësishme turistike e Shqipërisë. Ishe në vendin dhe kohën e duhur”, tha Ardian Trebicka.

“Jam shumë i surprizuar jo nga atmosfera e koncertit dhe loja e artistëve, zërit të ngrohtë të Ardian Trebickës por kisha kohë pa ardhur në Pogradec. Atmosferë shumë e bukur. Turista ka plot dhe jam shumë i kënaqur”, tha Kastriot Tusha.

Publiku, pjesë e të cilit ishin grupmosha të ndryshme, vallëzoi përgjatë gjithë kohës me këngët e repertorit të dy artistëve të njohur duke e kthyer Sheshin e Odeonit në një magji tingujsh. /Shqiptarja.com