Kritikët gjermanë për filmin “Zgjoi”: Një manifest feminist

Kritikët gjermanë për filmin “Zgjoi”: Një manifest feminist

Kultura September 12, 2022 - 17:38

Filmi “Zgjoi” i Blerta Bashollit hyri javën e kaluar për të herë të parë në programin e kinemave gjermane. Ja çfarë shkruajnë kritikët e kulturës:Filmi i Blerta Basholli "Zgjoi" nisi javën e kaluar shfaqjen në programin zyrtar të kinemave gjermane. Filmi kosovar,i cili këtë vit bëri histori duke qenë filmi i parë që hyri në listën e shkurtër të nominimeve Oscar,është nderuar me një mori çmimesh. Rishtazi regjisorja Blerta Basholli u nderua me çmimin e të drejtave të njeriut, Horizonte, në Festivalin e Pesë Liqeneve në Mynih.

Annett Scheffel në Sueddeutsche Zeitung shkruan në një koment për filmin "Zgjoi". "Tepër e madhe është dhimbja, tepër të ngurta rolet. E kaluara rëndon në debutimin mbresëlënës të regjisores Blerta Basholi, që rrëfen gjendjen e shokut që ka mpirë Kosovën e pasluftës. Një fshat i tërë është kapur pas shpresës që çdo gjë do të bëhet si më parë. Mendërisht lufta nuk ka përfunduar. Në mes të kësaj jete të ngurtësuar, nëna e re Fahrije, i shoqi i të cilës prej vitesh është në kërkim, guxon të hedhë vështrimin përpara. Bashkë me disa gra të tjera ajo themelon një sipërmarrje të vogël, që i trondit strukturat patriarkale. Një dramë e heshtur dhe prekëse me një protagoniste të paepur.”Simon Rayß nga "Tagesspiegel”: Në "Hive", edhe gjestet më të vogla zhvillojnë efekte të fuqishme. Yllka Gashi, në Kosovë një yll televizioni, sjell një Farhije të përqendruar dhe të tërhequr. Figura e saj mbetet qendra e forcës, nga jashtë ajo duket si e patundshme. Por kur është vetëm në dush, atë e godet dhimbja. Basholli lë hapësirë të mjaftueshme që edhe gratë e tjera të fshatit të fitojnë profil. Grupi vepron pa filtra dhe me energji aq të madhe, kështu që "Hive” që në fillim zhvillon një intensitet të jashtëzakonshëm. Këtë mbresë e përforcon edhe inskenimi preciz i Bashollit. Madje ajo lejon edhe disa momente humori të lehtë, të cilat shumë shpejt i prish realiteti, në formën e ndonjë sharjeje që burrat u bënë vejushave në rrugë, ose në formën e një tulle që thyen xhamin e pasëm të makinës së Fahrijes. Në një farë mënyre, "Hive" është një film plotësues i "Quo Vadis, Aida?": Ndërsa regjisorja e tij Jasmila ëbanic vë në qendër tmerrin historik të Srebrenicës së Bosnjës, "Hive", i cili ka fituar tre çmime në Festivalin Sundance, merret me pasojat e tmerreve të luftës në Kosovë. Por filmi i Bashollit është edhe një manifest feminist për ballafaqimin e diferencuar me traditën dhe rendin patriarkal.

Bert Rehbandl në Frankfurter Allgemeine Zeitung: "Beteja e Fahrijes është beteja e shumë grave nga Bangladeshi në Burkina Faso. Në të njëjtën kohë, historia më e fundit e Kosovës është përfshirë me mençuri në skenar. (...) Fakti që "Zgjoi” u sjell grave të Krushës së Madhe më shumë gjallëri sa për të kaluar një krizë mjalti, e bën filmin e Blerta Bashollit një manifest shprese, që mund të shërbejë edhe për ta ndihmuar një shtet në periferi të Evropës për ta nxjerrë në qendër të vëmendjes së vendeve të pasura.”/dw