Kujtohet dirigjenti Bahri Çela, një prej më meritorëve që vuri themelet e Filarmonisë së Kosovës
Foto: Arben Llapashtica dhe Visar Kryeziu

Kujtohet dirigjenti Bahri Çela, një prej më meritorëve që vuri themelet e Filarmonisë së Kosovës

Kultura September 30, 2022 - 12:06

Në 4-vjetorin e vdekjes, është kujtuar sot nga Filarmonia e Kosovës dirigjenti Bahri Çela, një prej më meritorëve që vuri themelet e institucionit të Filarmonisë së Kosovës. Ai ishte edhe pedagogu që u dha hapat e parë muzikantëve që sot prezantohen në skenën kosovare, përcjell KultPlus.

Çela konsiderohet si një prej dirigjentëve më me ndikim prej viteve ’70 e deri pas luftës së fundit në Kosovë. Ai fillimisht drejtoi orkestrën dhe korin e Radiotelevizionit të Prishtinës, e më pastaj themeloi edhe Filarmoninë e Kosovës së bashku me një grup muzikantësh kosovar.

Studioi në Akademinë e Muzikës, Dega e Dirigjimit në Beograd, për të vazhduar më pas specializimin në Konservatorin e Shën Petërsburgut në Rusi, te pedagogu i njohur Prof. A.P. Musin dhe në Nicë (Francë) te dirigjentët e njohur francezë P. Dervaux dhe F. Quatrocchi. Pas studimeve ai do të punësohej në Radio Prishtinë si producent i asaj që asokohe quhej muzikës serioze dhe asaj për fëmijë. Çela po ashtu ishte njëri ndër iniciatorët e themelimit të Orkestrës Simfonike të Radiotelevizionit të Prishtinës në vitin 1975. Me këtë orkestër dirigjoi një kohë duke realizuar koncerte të rregullta me vepra të autorëve shqiptarë dhe botërorë. Në mesin e tyre hyjnë emra si Rexho Mulliqi, Vincent Gjini, Esat Rozvanolli, Rauf Dhomi, Akil Koci, Çesk Zadeja e të tjerë. / kultplus

Image

Bahri Çela dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës në shënim të 10-vjetorit të Filharmonisë së Kosovës. [Beethoven – Simfonia Nr. 8] Tetor 2010 / Salla e Kuqe, Prishtinë

Image
Bahri Çela dhe Kori e Orkestra e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës [Handel – Messiah] Prill 2005 / Salla e Kuqe, Prishtinë