Mehmet Elezi: Gjuha shqipe rrezikon ta ketë fatin e latinishtes

Mehmet Elezi: Gjuha shqipe rrezikon ta ketë fatin e latinishtes

Kultura November 21, 2022 - 13:35

“Standardi i gjuhës shqipe duhet të reformohet pa prekur bazën e toskërishtes nga dijetarë të mençur që u rreh zemra shqip”, kështu deklaroi gjuhëtari Mehmet Elezi, pasi në të kundërt gjuha shqipe është e rrezikuar.

“Nuk jam kurrsesi për përmbysjen. Ky standard duhet të mbetet, por duhet të reformohet. Të ruhet baza toskërishte. Të mos preket, kjo është themelore. Ky standard të hapet të përpunohen rregulla që të hapet në mënyrë shkencore dhe jo kakofoni. Në përputhje me rregullat gjuhësore. Kjo është e domosdoshme, se sot ka ndodhur ndryshime marramendëse në të gjithë rajonin”.

Duke theksuar domosdoshmërinë e reformimit të gjuhës shqipe, Elezi sjell në vëmendje historinë e dhimbshme të gjuhës latine, ku ajo zyrtare u shkëput nga ajo e folura.

“Ka një përvojë historike të dhimbshme me latinishten, nëse e shohim si pasqyrë të mundshme të zhvillimeve në vendin tonë. Latinishtja zyrtare u shkëput nga ajo e folura popullore dhe kjo mbeti gjuhë e vdekur me të vdekurit dhe kjo është vetëm në libra, ndërsa nga latinishtja popullore u krijuan disa gjuhë, si italishtja, frëngjishtja, spanjishtja, rumanishtja. Është rreziku në një të ardhme, jo të shkurtër, që të krijohet shkëputje dhe standardi të mbetet një gjuhë e ftohtë, e largët dhe kombi shqiptar të vuajë një përçarje gjuhësore, rrëmujë në mungesë të një standardi të mirëfilltë”.

Një tezë të përafërt për reformimin e gjuhës shqipe, por edhe për shkëputjen e mundshme të saj sikurse asaj latine, kishte edhe Çabej, i cili theksonte domosdoshmërinë e një gjuhe shqipe për të gjitha trevat shqipfolëse.

“Çabej thoshte na duhet një gjuhë shqipe për katër milionë shqiptarë. Pra, të hapet që të gjithë shqiptarë të gjejnë veten dhe të forcojë imunitetin e brendshëm. Është globalizmi. Erërat e globalizimit të japin të ftohurën brinjë më brinjë dhe i pari ftohet ai me imunitet të dobët. Gjuhë më e vogël se është më pak e lëvruar përballë botës. Po të shohësh sot futen fjalë anglisht pa nevojë. Një reformim i mençur nga dijetarë që u rreh zemra shqip. Një tezë e përafërt e Çabejt thotë që duhet të ruajmë gjuhën shqipe që të mos bëhet gjuhë e pasme e prapambetur, se sot kemi dy gjuhë shqipe. Këtë e thotë më 1967. Një është gjuha letrare dhe tjetra e popullit dhe nuk duhet të ndodhë kurrë kjo shkëputje dhe sot tendencat janë të pandalshme nëse nuk reformohet gjuha shqipe”.

Elezi bëri të ditur se Akademia e Shkencave e Kosovës është tërhequr nga hartimi i Fjalorit të përbashkët shqip, i njoftuar pak ditë më parë se do të ishte gati pas dy vitesh. Për Elezin kjo është e dëmshme dhe theksoi nevojën e gjetjes së mirëkuptimit për të punuar bashkërisht.

“Akademia e Kosovës është tërhequr dhe ka mbetur një gjuhëtare në pension. Kjo është e dëmshme dhe është tërhequr se nuk kanë gjetur mirëkuptimin me akademinë këtu dhe kjo është shumë e dëmshme dhe që tani këtij fjalori nuk mund t’i besohet. Nëse do të punojnë bashkërisht të bashkohen dijetarë në mënyrë të barabartë me seriozitet, përndryshe gjuha shqipe është e rrezikuar. Në të ardhmen është rreziku nëse nuk reformohet standardi, pa prekur bazën toskërisht, mund të krijohet shkëputje mes standardit që përdoret në komunikimet zyrtare dhe gjuhës së përditshme dhe një pjesë të medias. Mund të ndodhë”.

Vështirësinë e kuptimit nga toskët të gegnishtes, Elezi e lidh me standardin, pasi para vitit 1944 dy dialektet po shkonin drejt shkrirjes, paskajorja dhe gegnishtja, sipas tij, kuptoheshin edhe në jug. Dhe, prandaj sugjeron hapje të standardit. Por, kjo për gjuhëtarin kërkon edhe shumë vullnet nga qeveria dhe akademia.

“Janë pasoja të standardit. Para vitit 1944 Fishta kuptohej edhe në jug dhe e ndiqnin me shumë interes. Paskajorja është mënyrë shumë e rëndësishme është përjashtuar e ke para 1944-ës edhe në toskërisht. E ke edhe te Naimi ‘Bagëti e Bujqësi’, nuk ishte diferencë e madhe po shkonte drejt shkrirjes dhe kanë kaluar 50-60 vjet dhe njerëzit janë mësuar te mos lexonin Fishtën dhe autorë të mëdhenj. Gjuha gjallërohet duke hapur standardin, duke i fut në libra e duke pasur guxim. Edhe shkrimtarët veriorë kanë vetëcensurë. Po përvetësohen shprehje nga gjuhë të huaja; sa bukur do të përvetësoheshin format e shqipes, brenda Shqipërisë. Duhet vullnet. Nuk shoh vullnet as nga akademia e qeveria”.

Ai sjell në vëmendje konferencën gjuhësore në Durrës në 2010 ku akademikë nga trevat shqiptare sugjeronin mundësinë e futjes së paskajores në standard, por që një grup gjuhëtarësh nxituan të hartonin një rezolutë kundër saj.

“Në 2010 u bë një konferencë gjuhësore në Durrës dhe ishin akademikë nga trevat shqiptare dhe miratuan përmbledhje ku sugjeronin me pa mundësinë e futjes së paskajores në standard. Sa u mor vesh kjo një numër gjuhëtarësh vrapojnë te njëri tjetri dhe hartuan një rezolutë kundër paskajores. Ky zell kundër gjuhës shqipe nuk është ndaj strukturave gjuhësore të huaja dhe fjalëve krejt të panevojshme. Paskajorja quhet forma më e lartë e mendimit abstrakt në një gjuhë. Ka rrjedhshmëri të madhe. Është një vlerë që e ka 70 për qind e gjuhës shqipe; e kanë të gjitha gjuhët evropiane. Është një humbje madhe”.

Edhe pse nuk sheh dritë jeshile për reformimin e standardit, gjuhëtari Elezi nuk i humb shpresat, që brezat e ardhshëm do të gjejnë mirëkuptimin për rëndësinë e gjuhës shqipe.

“Është e mundshme nuk e mendoj se do ketë gjithnjë mosmarrëveshje, që e kuptojnë rëndësinë e problemit dhe duhet të bëjnë diçka. Nuk e quaj pa zgjidhje. Për momentin nuk shoh dritë jeshile. Problemi është serioz dhe mungesë vullneti. Edhe në Kosovë janë të ndarë. Gjuhën e kemi gjithçka, ADN, qenie, identitet, prandaj ta hapim që të përfshijë gjithë qenien e saj”. /A2