Recensë mbi monografinë “Kosova gjatë Luftës së Dytë Botërore 1941-1945”, me autor Haxhi Ademin, Prishtinë 2021

Recensë mbi monografinë “Kosova gjatë Luftës së Dytë Botërore 1941-1945”, me autor Haxhi Ademin, Prishtinë 2021

Kultura January 03, 2023 - 10:00
Dr. Ilirjana Kaceli (Demirlika)

Historia e Kosovës gjatë Luftës së Dytë Botërore është një ndër periudhat më të spikatura në historiografinë shqiptare, e cila është trajtuar në mënyrë të pjesshme në artikuj shkencorë dhe divulgativë, ose edhe në disa përmbledhje studimore nga historiografia shqiptare dhe ajo e huaj. Ndërsa po t’u referohemi teksteve të ndryshme shkollore, por edhe në tekstet universitare është e trajtuar shumë pak. Ndaj autori me këtë punim sjell një risi, pasi ai është përpjekur dhe ka arritur të realizojë një monografi me vlerë dhe të rëndësishme për shqiptarët kudo që sot ata ndodhen, Ai në punimin e tij ka përfshirë të gjitha ngjarjet e rëndësishme që kanë ndodhur në Kosovën e asaj periudhe. Andaj libri i dr. Haxhi Ademit, “Kosova gjatë Luftës së Dytë Botërore 1941-1945”, e plotëson boshllëkun, pasi sjell një punim të mirëfilltë shkencor të bazuar mbi burime të shumta historike.

Image

Monografia që autori sjell për opinionin e gjerë publik por edhe për kërkuesin shkencor është ndër punimet më cilësore që i përket një periudhe të ngjeshur historike të mbushur plot me ngjarje dhe fakte të historisë së Kosovës gjatë Luftës së Dytë Botërore. Periudha e Luftës së Dytë Botërore, për zhvillimet, pasojat që pati, vazhdon ende të mbetet një nga temat më të pëlqyera dhe tërheqëse për ta studiuar, jo vetëm për historianët shqiptarë në të gjitha trojet, por edhe për studiuesit e shkencave të tjera humane dhe shoqërore.

Në ditët e sotme hapja e dokumentave në arkivat shqiptare dhe të huaja, të cilat kanë qenë të panjohura më parë, u sjell studiuesve një mori të dhënash të reja arkivore duke sjellë në pah që punimet e tyre të shihen në një këndvështrim të ri sa më objektiv në përceptimin e kësaj periudhe historike. Ndaj ne si lexues mundohemi ti japim përgjigje pyetjes, “Pse autori ka vendosur në temën e tij një përkufizim kohor vitet 1941-1945”? Arsyet e këtij përkufizimi kohor siç thekson vetë autori kanë të bëjnë me dy ngjarje madhore për Kosovën dhe popullsinë shqiptare: E para, më 6 prill 1941 trupat nazifashiste, ndërmorën ofensivën kundër Jugosllavisë në kuadër të së cilës përfshiheshin edhe Kosova e viset e tjera shqiptare, të cilat brenda disa ditëve u pushtuan. E dyta, më 8-10 korrik të vitit 1945, Kosova u aneksua nga Serbia, akt që u zyrtarizua në Kuvendin e Prizrenit. Objektiviteti, rëndësia historike dhe pasojat që patën këto dy ngjarje, por edhe kompleksiteti i ngjarjeve të tjera si Konferenca e Bujanit, Masakra e Tivarit etj., si pasojë e faktorëve të shumtë, na tregojnë që studimi i periudhës së Luftës së Dytë Botërore ka një rëndësi të veçantë për shqiptarët e Kosovës për kohezionin e brendshëm por edhe atë ndërkombëtar, ndaj ky ishte shkaku që e shtynë autorin të ndërmarrë këtë botim aq sa të vështirë po aq edhe i bukur.

Fillimisht autori në veprën e tij është përpjekur dhe ka zbërthyer rrethanat e vështira në të cilat janë zhvilluar ngjarjet gjatë luftës. Sipas tij, në thelb të trajtimit, është dimensioni politik, ushtarak, ekonomik etj., por edhe zhvillimi i marrëdhënieve të gjera dhe shumëplanëshe në të gjitha fushat.

Autori i analizon në mënyrë të detajuar këto të dhëna duke e ndarë punimin në pesë kapituj, mbështetur mbi një bazë të gjerë burimore të cilat ndjekin parimin kronologjik.

Libri nis me kapitullin e parë ku janë shpjeguar rrethanat e përgjithshme në Kosovë në prag të Luftës së Dytë Botërore, në veçanti janë shpjeguar rrethanat politike, ekonomike, kulturore-arsimore, pastaj reforma agrare dhe kolonizimi por edhe shpërngulja e shqiptarëve nga Kosova deri në Luftën e Dytë Botërore. Politika shtetërore e mbështetur nga një pjesë e komuniteteve serbe (vendase dhe kolonë të ardhur) në viset shqiptare, goditjet e pësuara gati nga çdo familje shqiptare (dhuna, grabitja, shpronësimi, diskriminimi në të gjitha format, denigrimi fetar, kulturor, arsimor, social etj) thelluan distancën dhe likujduan bazat e bashkëpunimit apo edhe mirëkuptimit midis popullsisë shqiptare dhe popullsisë sllave. Kjo periudhë e Kosovës midis dy luftërave botërore është periudhë e mbijetesës, ku siç dihet Beogradi synonte të arrinte një qëllim: spastrimin etnik në favor të elementit sllav si dhe ndryshimin e strukturës etnike në favor të këtij elementi. Ndaj mund të themi që gjendja e popullsisë shqiptare në Kosovë ishte shumë e rëndë.

Në kreun e dytë, autori trajton fillimin e Luftës së Dytë Botërore dhe reflektimin e saj në Kosovë. Në veçanti janë trajtuar marrëveshja e Hitlerit me Musolinin, pastaj ka cekur pushtimin e Shqipërisë nga Italia dhe pushtimin e Jugosllavisë nga Gjermania. Në prill të vitit 1941, forcat e Boshtit Qendror brenda një jave pushtuan jo vetëm Kosovën por gjithë Jugosllavinë që solli ndryshime të mëdha shoqërore dhe politike.

Në kreun e tretë, është trajtuar pozita e shqiptarëve në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore 1941-1944. Një rëndësi e veçantë i është dhënë pushtimit të Kosovës nga fuqitë e Boshtit, pastaj ndarja e Kosovës në tri zona të pushtimit (italiane, gjermane dhe bullgare) si dhe pozitën e shqiptarëve në këto zona. Në veçanti janë trajtuar zona italiane e pushtimit, dhe politika italiane e krijimit të “Shqipërisë etnike”, si dhe zhvillimi i arsimit shqip në këtë zonë. Zhvillimi i arsimit shqip në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare në Jugosllavi gjatë viteve 1941-1944 u zhvillua si asnjëherë më parë. Në Kosovë erdhën qindra mësues nga Shqipëria që së bashku me arsimtarët kosovarë arritën të zhvillojnë një sistem unik arsimor kombëtar. Krahas tyre është trajtuar edhe zona Bullgare e pushtimit dhe pozita e shqiptarëve në këtë zonë. Më pas ndiqet nga zona gjermane dhe përsëri pozita e shqiptarëve në këtë zonë. Një rëndësi e vecantë i është dhënë Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe rëndësisë që ajo pati etj. Po ashtu në kreun e tretë, gjejmë edhe jetën politike në Kosovë në vitet e luftës (1941-1945) dhe në veçanti veprimtarinë e Partive Politike si të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, Partisë Fashiste shqiptare, Lidhjes Popullore Shqiptare, Ballit Kombëtar dhe Lidhjes së Dytë të Prizrenit.

Narrativa e kreut të katërt, na shpjegon me detaje rezistencën e shqiptarëve në Kosovë në fund të Luftës së Dytë Botërore edhe pozitën e tyre pas përfundimit të luftës gjatë vitit 1944-1945. Janë zbërthyer fillet e lëvizjes së rezistencës shqiptare kundër okupimit italiano-gjerman, përhapja e lëvizjes komuniste, rezistenca antifashiste e forcave partizane në Kosovë duke përfshirë edhe pjesëmarrjen e shqiptarëve. Një vend të rëndësishëm zë edhe Konferenca e Bujanit në të cilën shqiptarët dolën nga kjo Konferencë me një dokument përfundimtar me rezolutë të miratuar në konferencë, ku thuhet: “Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit është krahinë e banuar me shumicë nga populli shqiptar, i cili, si gjithmonë, ashtu edhe sot, dëshiron me u bashkue me Shqipërinë”. Më pas trajohet largimi i forcave gjermane nga Kosova në nëntor të vitit 1944, ku janë përdorur termat çlirim, ripushtim apo ndërrimi i pushtuesve. Po ashtu gjendet edhe pozita e shqiptarëve në Kosovë në përfundim të luftës si dhe trajtimi i tyre por edhe masat që u morën nga pushteti “popullor” jugosllavo-komunist. Meqë shqiptarët kanë zhvilluar rezistencë të armatosur për të kundërshtuar pushtetin jugosllav, janë ofruar të dhëna me rëndësi për kontekstin e kësaj kryengritjeje duke veçuar kryengritjen e Shaban Polluzhës në Drenicë të Molla Idriz Gjilanit në Gjilan etj. Krahas tyre është pasqyruar edhe dhuna mbi civilët shqiptarë në Kosovë dhe viset e tjera në Jugosllavi që kulmoi me Masakrën e Tivarit që ju kushtoi shqiptarëve disa qindra të vrarë e të plagosur. Por ky nuk qe rasti i vetëm kur shqiptarët u masakruan. Masakra masive pati edhe në Drenicë, në Gjilan, në Ferizaj, në Vuçiternë, në Gostivar e në Tetovë. Në fund të këtij kapitulli gjejmë edhe ngjarjen më të rëndësishme historiko-politike të Kosovës aneksimin dhe bashkimin e saj e saj në mënyrë arbitrare si dhe të trevave të tjera shqiptare me Serbinë në kuadër të Republikës së Serbisë dhe të Federatës së Jugosllavisë në Kuvendin e Prizrenit (1945). Krahas saj janë dhënë edhe pasojat politike e juridike të këtij “kuvendi” për statusin e mëtejshëm të Kosovës në historinë e pas luftës si dhe tregohet nëpërmjet dokumentacionit arkivor pozita e shqiptarëve në kuadër të Federatës Jugosllave.

Libri mbyllet me kreun e pestë në të cilin jepen rrethanat në të cilat ndodhej minoriteti serb në Kosovë gjatë Luftës së dytë Botërore, në vecanti çështja e “shpërnguljes” së tyre nga Kosova gjatë viteve të luftës. Është ndëmarrë ky trajtim në mënyrë pozitive nga autori si shkak për të sjellë të vërtetën historike rreth këtij fenomeni sepse çështja e shpërnguljes së tyre është glorifikuar së tepërmi nga historiografia serbe e pasluftës. Serbët janë larguar kryesisht për motive personale dhe për shkaqe ekonomike dhe sociale janë larguar nga Kosova drejt Serbisë në përfundimin e luftës.

Që punimi të ishte sa më i plotë dhe në nivel të lartë shkencor dhe argumentues ka bërë që autori të ketë ka përdorur një sërë burimesh qofshin ato primare apo edhe sekondare të cilat plotësojnë njera-tjetrën dhe na japin një tablo të plotë e të qartë të historisë së Kosovës dhe gjendjes së saj në atë periudhë. Autori ka hulumtuar në një sërë arkivash dhe biliotekash kombëtare dhe ndërkombëtare në të trija vendet e rajonit si në Kosovë, Tiranë, Maqedoni e Veriut etj. Baza e këtyre hulumtimeve kanë qenë të dhënat arkivore që gjenden në të gjitha arkivat kryesore të Shqipërisë si: në Arkivin Qendror Shqiptar të Republikës së Shqipërisë (AQSH), në Drejtorinë e Arkivit Historik dhe Dokumentacionit pranë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashme të Republikës së Shqipërisë (AMEPJ), në Arkivën e Institutit të Historisë (AIH), në Arkivin Qendror të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (AQFASH), në Biliotekën Kombëtare në Tiranë etj. Ndërsa në Kosovë autori ka kryer kërkime shkëncore pranë Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK), në arkivën e Institutit të Historisë në Prishtinë, në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë etj. Nga ana e tij janë shfrytëzuar një numër i madh dosjesh të sjella nga arkivat e huaja në fondet e Institutit të Historisë Tiranë dhe Prishtinë.

Në këto institucione gjenden fonde tepër të vyera dhe me dokumentacion të bollshën duke përfshirë, raporte, telegrame, memoare, letra, dokumenta, revista, pjesë nga gazetat e kohës që japin tablo të qarta për sythe të veçanta të temës.

Autori ka shfrytëzuar me mjeshtëri edhe arritjet e historiografisë shqiptare dhe jo vetëm. Kjo ka qenë e domosdoshme nga ana e tij për të nohur më mirë rrethanat e përgjithshme (të brendshme dhe të jashtme) të cilat shprehin përfundime dhe rezultate të reja në qasjen dhe shpjegimin e kësaj historie.

Shtypi i kohës i ka shërbyer autorit jo vetëm si burim i rëndësishëm informacioni por edhe si njohje me pikëpamje të caktuara të qarqeve dhe elitave politike të kohës. Për të përmbyllur një punim serioz dhe të qëndrueshëm nga ana shkencore janë përdorur prej tij metodologjitë më të avancuara të kërkimit shkencor si nga ana tematike, kronologjike por edhe nga qasja analitike dhe krahasimtare. Përdorimi me efiçencë dhe seriozitet nga ana e autorit e këtyre metodave dhe paanshmëria në interpretimin e dokumentacionit të shfrytëzuar ka sjellë nxjerrjen e përfundimeve shkencore dhe të qëndrueshme pavarësisht vështirësive të hasura.

Si përfundim mund të themi se pavarësisht se shqiptarët në numër jo të vogël u bashkuan në lëvizjen antifashiste, në përfundim të luftës çështja e tyre kombëtare nuk u zgjidh ashtu siç kërkuan ata në Konferencën e Bujanit dhe siç premtohej edhe nga PKJ dhe PKSh, të cilat mbështeteshin në konventat ndërkombëtare si Karta e Atlantikut, Konferenca e Moskës, dhe Konferenca e Teheranit. Pra, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët që ishin në kuadër të Jugosllavisë jo vetëm që mbetën në statusin e paraluftës të shkëputur nga shteti amë, por as nuk u bashkuan në një njësi të vetme federative. Ata u copëtuan administrativisht, midis tri Republikave jugosllave, në kuadër të Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, gjë e cila i pengoi përpjekjet e shqiptarëve për të realizuar republikën e Kosovës dhe më pas bashkimin e saj me shtetin shqiptar. Ky punim arrin të prekë ndjeshmërinë njerëzore jovetëm për fatin që patën shqiptarët në Kosovë dhe troje të tjera në ish –Jugosllavi, por edhe për të vërtetat që sjell, për analizën e punimit, për shënimet dhe shpjegimet e plota, si dhe për historinë e lavdishme të Kosovës martire.

Punoi: dr. Ilirjana Kaceli (Demirlika)