Pasardhësit e Qiriazëve nuk flasin më shqip, si u sllavizua familja e patriotëve

Pasardhësit e Qiriazëve nuk flasin më shqip, si u sllavizua familja e patriotëve

Kultura March 24, 2023 - 18:19

Në pazarin e Manastirit nuk ka asnjë biznes shqiptar të reklamuar. Kamera e “Inside Story” e cila ka ndjekur nga afër situatën, ka vënë re se i vetmi biznes me pronar shqiptar që ndodhej aty, nuk kishte mbishkrim fare.

Hristo Kirjazis është pasardhës i Qiriazëve të famshëm, që bënë aq shumë për gjuhën shqipe dhe shqiptarinë.

Ai mban emrin e gjyshit të tij Kristo Qiriazi që udhëhoqi për një kohë të gjatë shtypshkronjën “Bashkimi i Kombit” në Manastir.

Ai mbahet mend për punën e madhe në botimin e librave, teksteve dhe gazetave në gjuhën shqipe.

Megjithëse mban ndër gjene një histori të lavdishme paraardhësish, ai nuk di të flasë shqip, përveç disa fjalëve elementare si: përshëndetje dhe faleminderit.

Ai dhe të gjithë Qiriazët në Manastir janë sllavizuar krejtësisht, si shumica e shqiptarëve ortodoksë në këtë zonë.

Siç edhe e tregojnë këto foto me mbishkrimet e varreve të Qirjazëve, sllavizimi i atyre që nuk u larguan ka nisur shumë herët Hristo pranon se shumë shqiptarë këtu në Manastir ende kanë frikë ta pranojnë prejardhjen e tyre.

“Unë jam pasardhës i Qiriazëvë dhe jam shqiptar. Jemi pjesëtarë të familjes Qirjazi, persona të tjerë nga familja ime fshihen dhe nuk e deklarojnë se janë nga familja Qirjazi.

E gjithë familja ime Qiriazi kanë frikë dhe nuk duan të tregojnë se janë Qirjazë. Unë dhe djali im Oliveri krenohemi që jemi nga familja Qirjazi. Pra, një familje vizionare që ka dhënë kontribut të madh për shqiptarët”- u shpreh pasardhësi i familjes Qirjazi.

Ai thotë se janë lënë në harresë dhe nuk gëzojnë asnjë mbështetje pasi nuk janë bërë palë me asnjë nga partitë politike.

Megjithëse në shtëpinë e tyre kanë pasur edhe shtypshkronjë të librave shqip, fatkeqësisht as i biri, Oliveri, nuk flet shqip përpos kurseve të gjuhës shqipe që ka kryer.

“Ndoshta kemi ardhur në këtë situatë se babai im ka pasur shumë presion dhe shumë frikë”- u shpreh pasardhësi i familjes Qiriazi.

Ai thotë se shqiptarët ortodoksë në Manastir kanë pasur një jetesë të vështirë, e për pasojë mjaft prej tyre janë sllavizuar.

“Të jesh shqiptar ortodoks në Manastir është e vështirë. Ka familje që kanë ardhur nga Korça, Voskopoja që i di shumë mirë, por që nuk dua t’i them, dhe që kanë frikë të deklarohen se janë shqiptarë e fshihen me emra të tjerë”- u shpreh pasardhësi i familjes Qirjazi.

Sot pasardhësi Qiriazëve rrezikon të burgoset dhe ndihet i kërcënuar. Gjithçka lidhet me angazhimin e tij në vitin 2015 për rithemelimin e kishës ortodokse shqiptare. Por, angazhimi patriotik i tij hasi në kundërshtitë gati armiqësore të kishës ortodokse maqedonase.

“Rrezikoj të shkoj edhe në burg, ata më akuzojnë se kam falsifikuar dokumente”- u shpreh pasardhësi i familjes Qiriazi.

Goditjen e identitetit shqiptar në Hristo e gjen edhe tek përgjegjësia e vetë bashkatdhetarëve. Sipas tij, një pjesë e shqiptarëve janë treguar pragmatistë, duke përfituar nga joshjet e pushtetit.

“Janë shkrirë në nacionalitete të tjera, s’dua të tregoj se ndoshta ndikon keq për ta. Të gjithë janë në pozita të mira.

Ndërsa unë dhe djali im nuk i përkasim asnjë partie politike dhe ndoshta kjo na ka penalizuar të punësuar”- u shpreh pasardhës i familjes Qirjazi./topchanel