Kurti në Panairin e Librit: Dëshiroj që ky panair të ketë ndikim mendor e shpirtëror mbi të rinjtë

Kurti në Panairin e Librit: Dëshiroj që ky panair të ketë ndikim mendor e shpirtëror mbi të rinjtë

Kultura June 06, 2023 - 16:06

ëNën moton “Libri Triumfon”, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e edicionit të 23-të të Panairit të Librit i mbushur përplot me tituj, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës dhe mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Fillimisht duke e konsideruar si festival të librit, Kurti shprehu dëshirën e tij që ky panair i librit, i cili është i barasvlershëm me një mendje të hapur e një qytezë në vete, të ketë ndikim mendor e shpirtëror, veçmas mbi të rinjtë.

Duke ditur rëndësinë e librit, ai para të pranishmeve ka folur rreth qasjes dhe veprimeve të Qeverisë ndaj zhvillimit të librit. Me këtë rast, është gjashtëfishuar buxheti për librin, nga njëqind e gjashtëdhjetë mijë euro në një milion euro. Ai tha se Qeveria nuk mbështet vetëm letërsinë dhe shtëpitë botuese, por të gjitha gjinitë letrare dhe autorin e pavarur drejtpërdrejt. Njashtu, mbështet edhe zhvillimin e audio librave, programeve për nxitjen e lexueshmërisë, si dhe rezidencat letrare.

Me vlerësime të larta për praninë e shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare, kryeministri Kurti në këtë ceremoni theksoi rëndësinë e kontributit të Kadaresë në formësimin e kombit shqiptar me anë të romaneve dhe poezisë së tij.

“Jemi shumë të nderuar dhe pafund të gëzuar që e kemi në mesin tonë, shkrimtarin tonë të madh Ismail Kadare dhe më duhet të them që të gjithë ne jemi rritur me të, që do të thotë se vetëdija jonë për veten si komb shqiptar është në masë të konsiderueshme e formësuar nga romanet dhe nga poezia e Ismail Kadares. Ne atij jemi borxh sa s'thuhet”, deklaroi kryeministri, i cili më pas zhvilloi një bashkëbisedim me Kadarenë, ku ky i fundit i dhuroi të nënshkruar edhe librin e tij ‘’Aksidenti’’.

Në këtë ngjarje, përveç pranisë së kryeministrit Albin Kurti dhe shkrimtarit Ismail Kadare, në atmosferën e hapjes së panairit ishin të pranishëm edhe Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, Ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama si dhe shumë shkrimtarë, autorë, lexues, profesorë e studentë. /Zëri