“Arbëneshët e Zarës, shqiptarët e Zarës” - libri më i ri i Isak Shemës

“Arbëneshët e Zarës, shqiptarët e Zarës” - libri më i ri i Isak Shemës

Kultura February 12, 2025 - 14:11

Është botuar libri “Arbëneshët e Zarës, shqiptarët e Zarës" i autorit Isak Shema. Ai  duke folur për librin e tij më të ri tregoi se ka pasur kontakte me arbëreshët, ka shkuar atje për ta njohur sa më mirë historinë, kulturën, arsimin dhe letërsinë që krijohej atje, “dhe prej atëherë e kisha atë dëshirë që të jepet një kontribut në studime të kësaj problematike, të këtij materiali kaq të vlefshëm.

Ai bëri me dije se për arbëreshët e Zarës është shkruar shumë që nga koha e shpërnguljes së tyre, që në vitin e ardhshëm bëhen 300 vjet. Ndër të tjera, ai tha se shumë autorë italianë, gjermanë, shqiptarë, “ndër ta edhe profesor Çabej, e ka hapur atë problematikë në studimin e tij për arbëreshët e Zarës”.

“Pastaj janë marrë shumë autorë të tjerë siç janë Idriz Ajeti, Rexhep Qosja, Ramiz Kelmendi dhe shumë autorë të tjerë. Kjo problematikë është ndriçuar në shumë drejtime, mirëpo arbëreshët kanë kaluar një situatë shumë specifike të ekzistimit të tyre”, tha Shema.

“Arbëreshët në vendbanimin e ri kanë luftuar për ekzistencë. Fillimisht e kanë ushtruar profesionin e bujqësisë, pastaj pas shkollimit të tyre në kohën e Austro-Hungarisë, disa janë bërë mësues, artistë, profesionistë shumë të shquar, po pas sakrificave shumë të mëdha”, shtoi Shema.

Shema tha se në aspektin historik Kruno Kërstiq ka ndriçuar çështjen e shpërnguljes së arbëreshëve, pastaj edhe në aspektin e gjuhës ka mbledhur, gjuhën - të folmen e arbëreshëve të Zarës, mirëpo në literaturën tonë nuk ka qenë i pranishëm.“Ndoshta për herë të parë është në këtë libër, sepse ai me pikëpamjet e tij pas Luftës së Dytë Botërorë ka qenë i mënjanuar politikisht”, tregoi Shema, i cili shprehu mendimin se “para luftës në Kosovë ka pasur një heshtje shumë të madhe sa iu përket arbëreshëve, sepse edhe Kosova ka qenë në rrethana të jashtëzakonshme, por menjëherë pas luftës kemi shikuar se duhet të ruhen gjuha, kultura, dhe në këtë aspekt është filluar iniciativa që të bëhen botimet e para për arbëreshët”. /rtk