
Tri projekte shpallen fituese të subvencioneve nga QKK-ja
Qendra Kinematografike e Kosovës ka shpallur listën e projekteve fituese për filmat e metrazhit të gjatë.
Nga 12 projekte sa kanë aplikuar për mbështetje, vetëm tre kanë plotësuar kushtet dhe janë përzgjedhur.
Projektet fituese janë “Dua” me producent Valon Bajgora, regjisore e skenariste Blerta Basholli, që u subvencionua me 340.000 euro.
Projekti tjetër është “Dua të shkoj sërish në det” me producente Valmira Hyseni, regjisor e skenarist Leart Rama, që u subvencionua 240,000 euro.
Me 220.000 euro u subvencionua projekti “Gjurmë” me producent Jon Gojani, regjisore Rita Krasniqi.
Juria vlerësuese u përbë nga Tin Dirdamal, Norika Sefa, Antoneta Kastrati, Thomas Logoreci dhe Alireza Ghasemi dhe komisioni financiar ishte Ilir Hasanaj, Ujkan Hysaj dhe Virgjina Peja. /Zëri