
Marino Formenti, pianisti italian që fle dhe performon në Burgun e Idealit
Performimi i artit jo çdoherë është në sallat adekuate. Pianisti Marino Formenti ka zgjedhur që ta përjetojë burgun, aty ku dikur keqtrajtoheshin të burgosurit politikë.
“Kam vetëm një natë këtu dhe ende po mundohem t’i kuptoj këto si i quani ju ‘gjemba’. Jam i rrethuar nga gjembat dhe mundohem ta imagjinoj si ishte”, thotë ai.
Marino Formenti po kalon 4 ditë dhe 4 net në “Burgun e Idealit” (Muzeu i Prishtinës). Marino jeton, fle, ha dhe luan piano në hapësirën e burgut gjatë gjithë kohës. Njerëz vijnë për një pije dhe e dëgjojnë, luajnë me instrumentet e tyre së bashku me pianistin, lexojnë, shkruajnë dhe kthehen të nesërmen, në kuadër të projektit artistik “What is light for?”.
“Këtu gjendemi në burg, në fakt ka qenë një burg ku ne po mundohemi të kuptojmë, së pari çka mund të bëjmë me burgun, i vetëm, pa problem për njerëzit e tjerë. Në një mënyrë duam ta respektojmë këtë gjë, përderisa unë mendoj që të bësh art në këtë hapësirë është gjëja më e bukur që mund të bësh për ta nderuar këtë vend. Sepse arti ka të bëjë me ndjeshmërinë, duke dëgjuar njëri-tjetrin dhe duke u munduar të kuptojmë dhe unë jam shumë krenar që jam pjesë e këtij projekti”, vazhdon më tej ai.
“Prej fillimit të këtij viti për çdo muaj kemi pasur aktivitete të ndryshme që lidhen me ish-të burgosurit politikë”, ka thënë Mentor Berisha, udhëheqës i projektit.
“Në kuadër të funksionalizimit të Burgut të Idealit ideja ka qenë që me ftua njerëz, muzikantë që mbërrijnë me punua brenda kësaj hapësire jo fort të zakonshme, jo konvencionale, duke pasur parasysh edhe historinë e objektit, arkitekturës dhe historinë e njerëzve”, thotë Alban Beqiraj, regjisor.
Sonte në natën e fundit qytetarët mund të takohen, të lexojnë e të shkruajnë shkrime. Gjithashtu edhe të luajnë në instrumentet e tyre. /rtk