Infektuar: 15142
Shëruar: 12674
Vdekur: 615
Top-5 thashethemet për koronavirusin që i demaskoi BBC-ja

Top-5 thashethemet për koronavirusin që i demaskoi BBC-ja

Kuriozitete August 06, 2020 - 20:36

A ju kujtohen ato mesazhet virale që shpërndaheshin në “WhatsApp” në fillim të pandemisë?

Ato vinin herë si tekst, herë si mesazh me zë e herë si fotografi e turbulluar që vinte “nga një mik i një miku” – dhe shumica prej tyre tingëllonin jashtëzakonisht të besueshme.

Zeri.info sjell sjell të vërtetën e disa prej thashethemeve më të frikshme për koronavirusin gjatë pandemisë, të demaskuara nga BBC.

1. Tanket asnjëherë nuk dolën në rrugë

Çfarë thoshte mesazhi? Në mes të muajit mars, fotografi të vrazhda të mjeteve ushtarake nëpër rrugë nisën të përhapeshin përmes “WhatsApp”-it dhe grupeve në “Facebook”. Ato vinin me mbishkrime të tilla si “Në rrugën M25!” dhe “Tanket priten nesër në Newcastle”. Ato u shpërndanë me paralajmërime për trazira masive civile të cilat, për rrjedhojë, do të nxisnin ndërhyrjen ushtarake.

Sa virale ishin? Platforma më e madhe për këto thashetheme ishte “WhatsApp”. Për shkak se është privat dhe i enkriptuar, është e pamundur të dihet se sa njerëz i kanë parë ato mesazhe – por mund të themi se janë pranuar nga dhjetëra mijëra. Javë më vonë, njerëz që drejtojnë grupe lokale në “Facebook” i thanë BBC-së se ende po shohin etiketime për plane të pretenduara ushtarake për tanke në rrugë.

Si e demaskuam? Fillimisht ishte e vështirë të luftohej. E dinim se nuk kishte tanke në rrugë. Por e dinim po ashtu se ushtria mund të vendosej në rrugë. Dhe nuk është e pazakontë të shohësh mjete ushtarake në rrugë publike afër bazave ushtarake. Megjithatë, disa nga fotografitë më të famshme që qarkullonin qartazi nuk tregonin skena nga Britania e Madhe. Konvojet ishin në anën e gabuar të rrugës, apo automjetet kishin targa të shteteve të huaja, transmeton Zeri.info.

Ne bëmë edhe kërkime përmes fotografive – duke vendosur ato fotografi në makina kërkimi për të gjetur kopje të tyre online. Kjo zbuloi se shumë prej fotove ishin shkrepur shumë kohë para pandemisë. Në fund, Ushtria Britanike doli në rrugë gjatë pandemisë – por për të ofruar mbështetje logjistike për shëndetësinë, e jo për të patrulluar në rrugë me automjete të armatosura mes skenave të trazirave masive.

2. Trupat e viktimave të koronavirusit nuk ishin grumbulluar në fusha patinazhi

Çfarë thoshte mesazhi? Lajmi me zë ishte i zymtë. Me qindra fëmijë të shëndoshë do të vdesin çdo ditë. Ambulancat nuk do të merren madje as me rastet më të rënda me Covid-19. trupat do të dërgohen në “çdo sallë patinazhi” pasi që morgjet janë mbushur. Gruaja që fliste pretendonte se punon për Shërbimin Ambulantor të Bregut Juglindor. Ky shërbim me shpejtësi demantoi saktësinë e njoftimit – megjithatë, asnjëherë nuk tha nëse gruaja punonte në të vërtetë atje.

Sa viral ishte? Mjaftueshëm sa për të frikësuar njerëzit. Me qindra njerëz kontaktuan “BBC News” duke u interesuar për këtë mesazh. Shumë prej tyre ishin shqetësuar nga përmbajtja e tij. Një grua tha se mesazhi e kishte tmerruar vajzën e saj – dhe se asnjëri nga ta nuk e dinin nëse ishte i vërtetë. U shpërnda me shpejtësi sa që agjencia britanike e Shëndetit Publik doli me një deklaratë duke e quajtur atë “lajm të rremë”.

Si e demaskuam? Ka ende shumëçka që nuk dimë për COVID-19, por edhe me informacionin e kufizuar në dispozicion që kishim në pranverë, pretendimet në mesazh ishin qartë absurde. Kishte shqetësime se edhe të rinjtë e shëndetshëm mund të sëmuren seriozisht nga virusi – por zëri thoshte se një pjesë e madhe e njerëzve që vdesin nga koronavirusi do të ishin fëmijë pa ndonjë sëmundje shoqëruese. U planifikuan mortierë të përkohshëm dhe një shesh patinazhi në akull në Widnes të Cheshire u përdor shkurt për të ruajtur një numër të vogël trupash. Por hapësirat nuk ishin të stërngarkuara, dhe pretendimet në mesazh thjesht nuk u mbështetën nga shkenca, transmeton Zeri.info.

3. Helikopterët nuk spërkatën dezinfektues gjatë natës

Çfarë thoshte mesazhi? Do të ndodhë në mes të natës – një operacion sekret për të shpërndarë dezinfektues nga ajri. Personi prapa mesazhit viral i cili u përhap në mars në “Facebook” dhe “WhatsApp” asnjëherë nuk e shpjegoi se si bombardimi ajror do ta eliminonte virusin aty ku përhapet më së shumti – në hapësira të brendshme. Por sërish, paralajmërimi erdhi: rrini brenda, dhe mbyllni të gjitha dritaret dhe dyert.

Sa viral ishte? Ky mesazh nuk u shpërnda vetëm në Britani të Madhe. Ai u përhap në mediat sociale tek qindra mijëra njerëz në vende në mbarë botën: Kolumbi, Pakistan, Spanjë, Holandë e më gjerë. Në mesazh, koha dhe numri i helikopterëve zakonisht ishte i njëjtë.

Si e demaskuam? Kjo ishte e lehtë. Jo vetëm se plani i pretenduar ishte i padobishëm, por se asnjë helikopter spërkatës nuk u shfaq atë natë apo ndonjë natë tjetër. Në të vërtetë, ky ishte versioni i fundit i një zhanri të vazhdueshëm të teorive të konspiracionit. Për vite me radhë, njerëzit kanë pohuar se programet sekrete të qeverive po shpërndajnë kimikate vdekjeprurëse nga lart.

4. Një mjek i rastësishëm në një ishull të largët nuk i zhbllokoi papritmas sekretet e Covid-19

Çfarë thoshte mesazhi? Ishulli Gran Canaria i Spanjës ishte në njëfarë mënyre pikënisja e një audio-mesazhi në “WhatsApp” që pretendonte të përmbante informacione të brendshme. Gruaja që fliste (në anglisht) tha se kishte marrë informacione duke folur me një “koleg që kishte një mik” që punonte në një spital. Ajo jepte një tregim shumë specifik se si përhapej sëmundja, dhe kërkonte me ngulm nga njerëzit “të pinin nga një gllënjkë ujë të ngrohtë çdo njëzet minuta sepse kjo... dërgon çdo virus që ka hyrë në gojën tuaj në stomakun tuaj ku lëngjet gastrike do ta neutralizojnë atë”, transmeton Zeri.info.

Sa viral ishte? Zëri qarkulloi nëpër botë përmes “Whatsapp”-it dhe “Instagram”-it. Me dhjetëra lexues e dëgjues na e dërguan neve, duke pyetur nëse ishte i vërtetë.

Si e demaskuam? Për këtë u desh të mblidhnim pretendimet specifike dhe t’i krahasonim ato me atë çfarë dinin shkencëtarët atë kohë. Për një gjë, simptomat e koronavirusit ashpërsia janë shumë të ndryshueshme, dhe nuk duket se ka një model të saktë përparimi. Kjo është bërë edhe më e qartë teksa pandemia ka përparuar, pasi njerëz të ndryshëm janë prekur në mënyra shumë të ndryshme. Nuk ka asnjë provë shkencore se uji vret virusin – dhe përderisa kjo metodë me siguri se nuk do ta dëmtojë askënd, nuk ka histori suksesi të dikujt që shëron ose parandalon koronavirusin duke pirë lëngje.

5. Asnjëherë nuk pati një lazanje gjigante në stadiumin "Wembley"

Çfarë thoshte mesazhi? Një mesazh i famshëm që bënte parodi me mesazhet tjera virale thoshte se qeveria po e përdor Stadiumin “Wembley” si furrë gjigante. Billy McLean, një londinez 29-vjeçar, me sarkazëm tha të ketë dëgjuar për planin lazanja nga “vëllai i të dashurit të motrës së tij” që “punon për Ministrinë e Mbrojtjes”. Disa njerëz e “përpinë” këtë “fore”. Por kjo shaka donte të demaskonte se si këto mesazhet për një “mik të një miku me informacione të dyshimta” ishin bërë pjesë panike e kulturës pandemike.

Sa viral ishte? Ky mesazh u bë viral që inspiroi edhe zëra tjerë të bëjnë shaka të ngjashme – nga buka me hudhër që po piqet në Tunel e deri tek një sallatë që po hedhet në Koloseumin e Romës.

Si e demaskuam? Kryesisht duke qeshur bashkë me të gjithë!

Përgatiti: Zeri.info