Mbreti i mungesave në punë - italiani për 15 vjet mori pagë në sektorin publik pa punuar asnjë ditë

Mbreti i mungesave në punë - italiani për 15 vjet mori pagë në sektorin publik pa punuar asnjë ditë

Kuriozitete April 21, 2021 - 22:31

Një punonjës i sektorit publik i cilësuar si mbreti i të munguarve nga shtypi italian, thuhet se ka thyer rekordin kombëtar pa u paraqitur në punë asnjë ditë për plot 15 vite.

Policia thotë se punonjësi i spitalit ka vijuar të paguhet çdo muaj, me një total prej 538 mijë eurosh, pavarësisht se nuk është paraqitur në spitalin Puljeze Ciaccio, në qytetin kalabrez të Katanzaros, që nga 2005.

Tani, në moshën 67 vjeçare, ai përballet me akuzën për abuzim me detyrën, mashtrim dhe zhvatje të rënduar.

Gjashtë menaxherë po ashtu po hetohen nën dyshimin se kanë luajtur rol në mbulimin e mungesës së tij, që në fakt është një fenomen i njohur në sektorin publik në itali.

Në një hetim me emrin e koduar "Part Time", policia mblodhi të dhëna nga paraqitja në punë dhe listat e pagave si edhe mori dëshmitë e kolegëve të tij.

Në vitin 2005, burri thuhet se kishte kërcënuar drejtoreshën e spitalit pasi ajo e kishte paralajmëruar se do të hartonte një raport disiplinor për mungesat e tij.

"Drejtoresha më pas doli në pension dhe mungesat e burrit vazhduan pasi prania e tij në punë nuk u kontrollua kurrë nga pasuesit ose nga departamenti i burimeve njerëzore", tha policia.

Në vitin 2016, qeveria ashpërsoi ligjin pasi disa hetime të policisë treguan se sa i përhapur ishte fenomeni i marrjes së pagës pa shkuar në punë në sektorin publik në Itali.

Në një hetim në bashkinë e Sanremos, policia konstatoi se 35 punonjës kishin mashtruar sistemin për të paktën dy vjet.

Në një tjetër rast, një polic trafiku që jetonte në të njëjtën ndërtesë ku punonte, u filmua teksa regjistrohej për të konfirmuar paraqitjen në punë, me të brendshme, dhe më pas iu kthye gjumit në shtëpi. /Tch