Burri që humbi në Amazonë për një muaj mbijetoi duke ngrënë krimba dhe duke pirë urinën e tij

Burri që humbi në Amazonë për një muaj mbijetoi duke ngrënë krimba dhe duke pirë urinën e tij

Kuriozitete March 02, 2023 - 13:25

Një burrë nga Bolivia, i cili ishte zhdukur vetëm në Amazonë për një muaj, ka rrëfyer se ka ngrënë insekte dhe krimba, duke mbledhur ujë në çizmet e tij dhe duke pirë urinën e tij, për të qëndruar gjallë.

Nëse konfirmohet, kjo mund ta bëjë Jhonatan Acostan, 30-vjeçar, një nga të mbijetuarit më të gjatë në Amazonë.

“Më ndihmoi shumë të dija për teknikat e mbijetesës: më duhej të konsumoja insekte, të pija urinën time, të haja krimba. Unë u sulmova nga kafshët”, tha ai.

Acosta u raportua i zhdukur nga familja e tij në fund të janarit. Ai kishte qenë në një udhëtim gjuetie me katër miq në pyllin tropikal të Amazonës, por u nda nga grupi më 25 janar.

Pikërisht një muaj më vonë, të shtunën e kaluar, ai u gjet nga ekipet e kërkim-shpëtimit.

Acosta tha se kishte rënë shi gjysmën e kohës prej që ai humbi. Ai përdori çizmet e tij të gomës për të mbledhur çdo pikë shiu që mundte. Por kur qiejt u thanë, ai duhej të pinte urinën e tij.

“I kërkova Zotit për shi. Nëse nuk do të kishte rënë shi, nuk do të kisha mbijetuar”, tha Acosta.

I çorientuar, Acosta tha se kishte ecur rreth 40 km në kërkim të qytetërimit, por shpejt zbuloi se po lëvizte në rrathë. Ai kishte humbur 17 kg dhe kishte zhvendosur kyçin e këmbës gjatë sprovës së tij.

I ekspozuar ndaj elementeve gjatë natës, ai tha se ishte kafshuar nga lloj-lloj krijesash të ndryshme. Ai duhej të luftonte me një derr dhe një tigër.

“Jam shumë i lumtur dhe mirënjohës”, tha Acosta pasi u ribashkua me familjen e tij.

Në një rast tjetër të njohur në Bolivi, aventurieri izraelit Yossi Ghinsberg mbijetoi tre javë në Amazonë, në vitin 1981, një sukses që frymëzoi një film të quajtur “Jungla” me Daniel Radcliffe.

Në Brazil, piloti Antonio Sena mbijetoi 38 ditë në Amazonë, pas përplasjes në vitin 2021. Vitin pasues, dy vëllezër të moshës shtatë dhe nëntë vjeç u shpëtuan pasi kaluan 25 ditë të humbura në pjesën braziliane të pyllit tropikal.