Arkeologët zbulojnë një varr 3000-vjeçar në Egjipt

Arkeologët zbulojnë një varr 3000-vjeçar në Egjipt

Kuriozitete July 23, 2026 - 14:33

Arkeologët kanë zbuluar një varr 3000-vjeçar pranë qytetit të Luksorit në jug të Egjiptit, në një zbulim të ri që autoritetet egjiptiane shpresojnë se do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e turizmit kulturor.

Varri u zbulua nga një mision arkeologjik holandez i Universitetit Leiden në nekropolin Sheikh Abd el-Qurna, në Bregun Perëndimor të Luksorit.Sipas zyrtarëve, varri i përket një personi të quajtur Paser dhe daton në periudhën Ramesside, që përfshin dinastitë e 19-të dhe të 20-të të Egjiptit të Lashtë.

Ekspertët përcaktuan periudhën e varrit bazuar në stilin artistik të mbishkrimeve, të cilat ndjekin modelin tradicional të varreve private tebane të Mbretërisë së Re. Kompleksi përfshin një oborr të hapur që çon në një kishëz të gdhendur në shkëmb në formën e një “T”-je të përmbysur, si dhe dhoma varrimi nëntokësore.Gjatë gërmimeve, arkeologët zbuluan edhe elemente arkitekturore të ruajtura mirë, përfshirë një stol prej tullash për një stelë funerali dhe një shkallë që të çon drejt hyrjes së varrit.

Në brendësi janë ruajtur mbishkrime që paraqesin Paserin duke adhuruar disa hyjni egjiptiane dhe duke u ulur pranë bashkëshortes së tij përballë një tryeze me oferta rituale.

Ekipi arkeologjik bëri të ditur se kërkimet dhe dokumentimi do të vazhdojnë, me synim identifikimin e personave të varrosur dhe zbardhjen e mëtejshme të rëndësisë historike të këtij zbulimi. /KultPlus