Sjelljet antisociale të adoleshentëve

Sjelljet antisociale të adoleshentëve

Lifestyle October 04, 2022 - 14:12

Adoleshenca njihet edhe si “koha e turbullimit dhe stresit". Ajo ndeshet me disa probleme që kanë lidhje me seksin, vetëdijen, kontradiktat prindërore, kodet morale ose konformizmin ndaj normave sociale. Në këtë periudhë zhvillohet ndjenja e identitetit, proces ky që ndeshet me kontradiktat midis aftësive, mundësive dhe dëshirave të tyre fizike, mendore dhe psikologjike dhe kufizimeve për të mos i realizuar ato...

Adoleshenca është në kuptimin e vërtetë të fjalës një tranzicion prej varësisë të pavarësia, ajo është mosha e bukurisë, e çiltërsisë, e pastërtisë, e zhvillimit, e guximit, dinamizmit dhe shpresave të mëdha. Zakonisht sjelljet antisociale të adoleshentëve mund të jenë në vetë adoleshentin, në vet të riun, në mos familje me siguri jashtë saj.

Nëse i riu në kohën e parapubertetit dhe te pubertetit nuk hasë në mirëkuptim për ndryshimet anatomike fiziologjike e psikologjike që ndodhin në personalitetin e tij, nëse trajtohet keq, nëse i mohohet nevoja dhe dëshira për vetëvërtetim, për t’u dëshmuar se nuk është fëmijë, se është i fuqishëm, dhe është i dobishëm dhe jo i nënvlerësuar, sepse, këta adoleshentë ne të ardhmen mund të bëhen të predispozuar të shtojnë në personalitetin e tyre elemente antisociale, si: dhuna, agresiviteti, shkelja e ligjit, marrëdhënie seksuale të hershme, praktika seksuale të homoseksualitetit, pasojat e së cilave do t’i shoqërojnë dhe do t’i ndiejnë gjatë gjithë jetës.

Pikërisht për këtë arsye, bota e qytetëruar, i kushton rëndësi të veçantë edukimit të adoleshentëve. Një fidan i shëndoshë, i ka të gjitha gjasat të jetë një pemë e shëndoshë, prandaj është nevojë e veçantë, sidomos e prindërve të kenë kujdes gjate edukimit të tyre, sepse, siç dihet fëmija bazën e shëndoshë të edukimit e merr në fëmijëri.

Nëse ata marrin një edukatë të gabuar, atëherë do të vijë deri të edukata permisive apo riedukimi i tyre, që është një punë shumë e mundimshme, dhe merr një kohë shumë të gjatë, sepse, siç dihet nga praktika me lehtë është të parandalosh se sa të shërosh.

Gjithashtu duhet cekur se adoleshenca karakterizohet nga ndryshime të ndjeshme e të shpejta të gjendjes fizike dhe emocionale, mendime dhe ide të pasistemuara, ndjeshmëri e lartë, momente rebelimi dhe përpjekje të njëpasnjëshme eksperimentimi, shpesh herë me sindromën e imitimit.

Fëmijët e kësaj moshe fillojnë të vlerësojnë vetveten, kërkojnë të tërheqin vëmendjen e të tjerëve, sidomos të seksit të kundërt, janë të ndjeshëm ndaj opinioneve të të tjerëve, e konsiderojnë veten perfekt, të pakritikueshëm, ndihen të sigurt dhe plot shpresa për të ardhmen, ushqejnë ëndrra dhe pasione për t’u bërë njerëz të mëdhenj e të shquar.

Shpesh herë këto ndryshime shkaktojnë hutim dhe çoroditje tek fëmijët dhe aq më tepër tek prindërit dhe edukatorët. Mjaft prej tyre pajtohen me gjendjen, i rrallojnë përkëdheljet, përkujdesjet dhe lavdërimet që u kanë dhuruar atyre si të mitur, si dhe ndeshen me vështirësi komunikimi, mosbindje dhe kundërshtime.

Disa të tjerë janë të prirë t’i vlerësojnë sjelljet e papërshtatshme të adoleshentëve si kalimtare dhe përpiqen që t’i justifikojnë si procese të rritjes. Injorimi i këtyre sjelljeve bën që adoleshenti t’i përforcojë edhe më tej këto simptoma. Shumë prindër i harxhojnë energjitë për vogëlsira, nuk vlerësojnë problemet kryesore të kësaj moshe, kërkojnë t’i zgjidhin konfliktet me presion dhe urdhra, veprime këto që krijojnë reaksion.

Neglizhimi i këtyre sjelljeve ka sjellë si rezultat që adoleshentët me prirje negative të manifestojnë jo vetëm sjellje antisociale, por të shkojnë deri në vepra kriminale. Fatkeqësisht, në statistikat kriminale treguesi i krimeve të kryera nga adoleshentët është një zë që duhet marrë në konsideratë.

Mjaft prej tyre i gjen të regjistruar në evidencat e vjedhjeve, përdoruesve të drogave, prishjes së rendit, marrëdhënieve seksuale me dhunë apo me të mitur dhe deri tek vrasja e vetëvrasja.

Sjelljet antisociale dhe veprimtaria kriminale e tyre ka disa veçori, ku si ndër më kryesoret mund të përmendim: papërgjegjshmëria logjike dhe penale, kur nuk e kanë mbushur ende moshën 14 vjeç, mosthellimi në pasojat e veprimit, kryerje e atëçastshme e veprës, duke kaluar direkt nga lindja e mendimit tek tentativa, realizimi i veprave kriminale në mjedisin më të afërt që i rrethon e shpesh herë edhe atje ku jeton, realizimin e akteve të mprehta edhe për arsye tepër të rëndomta.

Adoleshenca njihet edhe si “koha e turbullimit dhe stresit “. Ajo ndeshet me disa probleme që kanë lidhje me seksin, vetëdijen, kontradiktat prindërore, kodet morale ose konformizmin ndaj normave sociale. Ata fillojnë të analizojnë dhe vlerësojnë vetveten, si dhe të marrin vendime. Në këtë periudhë zhvillohet ndjenja e identitetit, proces ky që ndeshet me kontradiktat midis aftësive, mundësive dhe dëshirave të tyre fizike, mendore dhe psikologjike dhe kufizimeve për të mos i realizuar ato.

Disa nga pasojat negative të moszgjidhjes drejt të kësaj kontradikte, janë edhe marrëdhëniet seksuale me dhunë, me të mitur apo praktikat seksuale të homoseksualitetit. Zhvillimi i vrullshëm fizik i adoleshentëve, shoqërohet edhe me një zhvillim po kaq të ndjeshëm seksual. Aftësitë dhe dëshirat fizike individuale ndeshen me një pengesë që mund ta konsiderojmë të moralit, opinionit, familjes apo shoqërisë për të mos i realizuar këto dëshira apo aftësi.

Kjo kontradiktë, në dukje kaq e thjeshtë, në praktikë është shumë e vështirë për t’u zgjidhur. Zgjidhja drejt e saj, nuk ka receta fikse dhe është objekt i shumë shkencave. E përgjithshmja pozitive e kësaj zgjidhjeje është që aftësitë individuale të adoleshentit të kanalizohen në drejtimin e duhur, me synim që të ruhet dhe zhvillohet në mënyrë të shëndetshme personaliteti dhe e ardhmja e tij. Edukata seksuale është një nga shkencat më të sakta, që ndikojnë në drejtimin pozitiv të aftësive dhe dëshirave reale seksuale të adoleshentëve.

Aktualisht në vendin tonë, ashtu si edhe në mjaft vende të tjera evropiane, kundër kësaj edukate shkencore, veprojnë opinionet dhe praktikat e grupit, trajtimi joprofesional dhe me imtësi i ngjarjeve dhe fakteve negative nga media, skenat seksuale në ekranet e filmave dhe televizionit, sitet e internetit, ekranet e celularëve, propaganda pedofile që po shfaqet me intensitet në ndonjë shtet të Evropës, si dhe modelet negative të kopjuara nga më të rriturit apo qoftë edhe nga prindërit dhe edukatorët etj. Sindroma e imitimit, indiferenca familjare, liberalizmi shkollor, problemet sociale dhe ekonomike ndikojnë edhe më tej negativisht në këtë drejtim.

Edhe si rrjedhojë e fakteve të mësipërme, gjatë adoleshencës vihen re probleme të tilla, si: përdorimi i alkoolit, drogës, duhanit, probleme dhe konflikte në familje, shoqëri dhe në shkollë, përfshirja në mjedise negative ose keqbërësish të moshave më të rritura, përplasja me ligjin, çrregullime të të ushqyerit, gjumit, probleme shëndetësore, ulje e nivelit të notave, braktisje shkolle, ndryshim tërësor i shoqërisë, humbje apo divorcim të prindërve, humbje të të dashurve, stres, depresion, rrethana këto që ndikojnë në lindjen e sjelljeve antisociale. Këto dukuri si dhe kriza e adoleshencës, kur nuk kapërcehen, prodhojnë stres, mosparandalimi i të cilit sjell pasoja negative, që i tejkalon sjelljet antisociale, duke shkuar deri tek veprimtaria kriminale apo edhe vetëvrasja, në thelb të së cilës qëndron ndjenja e dëshpërimit, mosvlerësimit dhe mungesa e shpresës.

Pa mohuar rolin e shoqërisë, shkollës, medies dhe mikromjedisit, një nga metodat më të efektshme për parandalimin e veprimeve antisociale të adoleshentëve është ndërtimi i urave të komunikimit të prindit, edukatorit apo kujdestarit me adoleshentin. E theksojmë këtë, jo për të ndëshkuar ata prindër që u kanë ndodhur ngjarje negative, përkundrazi për t’i ngushëlluar, por për të ndërgjegjësuar çdo prind apo kujdestar se padija, neglizhenca, besimi i tepruar apo indiferenca në ndërtimin e marrëdhënieve me fëmijën adoleshent, një ditë mund t’u kushtojë shtrenjtë. Dhe ky mund të jetë kushdo!…. /Telegrafi