Rikthehet në Shqipëri gripi i derrit

Shëndetësi January 12, 2019 - 09:26
Këshilla jetësore

Ditët e para të vitit të ri kanë rikthyer në Shqipëri virusi A/H1N1 (i njohur në zhargon si gripi i derrit).

Lajmi konfirmohet nga Silva Bino, shefe e Departamentit të Sëmundjeve Infektive, në ISHP, e cila shprehet:

Numri i rasteve me viroza respiratore është rritur. Nuk kemi një numër tepër të lartë të rasteve, por jemi në sezonin e gripit. Ne kemi izoluar raste me grip, të cilët i përkasin virusit AH1N1, ish-virusi pandemik, i cili tashmë është kthyer në një virus sezonal".
Virusi A/H1N1 shfaq simptoma të njëjta me viruset e tjera, si dhimbje koke, dhimbje muskulare të forta, kollë të thatë, tha Bino për TCH:

Viruset e gripit janë shumë hileqarë dhe pësojnë mutacione të ndryshme, ndaj është shumë e rëndësishme që të kryhet vaksinimi ndaj gripit. Ky vaksinim kryhet në çdo kohë, gjatë të gjithë periudhës së gripit dhe krijon imunitetin e duhur, apo bën që personi, edhe në qoftë se infektohet nga gripi, të mos kalojë forma të rënda të tij".
Personat që kanë sëmundje kronike si diabet, probleme pulmonare, apo janë obezë janë të prirur të shfaqin komplikacione nëse preken nga virusi i gripit.

Ndaj, sipas ekspertëve, ata duhet të rendin të bëjnë vaksinën e gripit.

Aktualisht janë vetëm 4 raste të konfirmuara në Laboratorin e ISHP-së, ndërkohë që mund të ketë raste të tjera, të cilat trajtohen në shtëpi dhe nuk janë paraqitur te mjeku.

Virusi H1N1 është një prototip i virusit që ka simpotma të zakonshme, por pasojat e tij mund të jenë vdekjeprurëse po nuk u trajtua. Në vitin 2010 vendi ynë pati epidemi të këtij gripi, për pasojë dhe viktima.