S’ka barna, pacientët me kancer e me sëmundje në zemër i blejnë ato vetë
Foto: Laura Hasani

S’ka barna, pacientët me kancer e me sëmundje në zemër i blejnë ato vetë

Shëndetësi November 12, 2019 - 08:32
Lexo Detajet
Image

Edhe më tej institucionet publike shëndetësore në vend po ballafaqohen me mungesë të barnave dhe të materialit shpenzues. Shumë barna është dashur t’i sigurojnë vetë personat me kancer, ata me probleme në zemër e personat me diabet edhe pse buxheti aktual për vitin 2019 vetëm për barna dhe për material shpenzues është 34.9 milionë euro, shkruan sot gazeta Zëri

Qendra Klinike Universitare e Kosovës, spitalet rajonale e qendrat e mjekësisë familjare në vend po ballafaqohen me mungesë të barnave dhe të materialit shpenzues tash e disa muaj. Në mungesë të produkteve mjekësore pacientët po detyrohet t’i blejnë vetë ato në barnatoret private, pavarësisht çmimeve të larta të tyre.

Me mungesë të barnave po ballafaqohen shumë herë edhe të sëmurët me kancer në QKUK, të cilët përpos barrës së sëmundjes po duhet ta mbajnë edhe barrën e sigurimit të barnave.

Disa nga medikamentet e nevojshme për trajtimin e këtyre personave, si citostatikët “Etoposide”, “Carboplatine”, “Cisplatin”, “Paclitaxel” 30 mg dhe 100 mg, gjatë këtij muaji dhe gjatë muajit të kaluar është dashur t’i sigurojnë vetë pacientët me kancer në Klinikën e Onkologjisë në QKUK, derisa edhe personat me sëmundje në zemër, personat me epilepsi e me sëmundje të tjera po detyrohen të sigurojnë vetë disa barna, të cilat janë të nevojshme për trajtimin e tyre.

Pavarësisht që në institucionet publike shëndetësore në vend ka mungesë të barnave e të materialeve shpenzuese, për 9 muajt e parë të këtij viti Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka shpenzuar mbi 34 milionë euro nga rreth 50 milionë sa është buxheti i saj për këtë vit.

QKMF-ja në Prishtinë nuk është furnizuar me 113 produkte mjekësore

150 produkte mjekësore, të cilat janë të nevojshme për pacientët, duke përfshirë këtu barnat dhe materialin shpenzues, i ka kërkuar Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë, por që ajo është furnizuar vetëm me 37 produkte.

Fatos Aliu, farmacist në këtë qendër, ka thënë për “Zërin” se javën e kaluar janë furnizuar me disa produkte mjekësore, por që pavarësisht kërkesave të tyre ata nuk kanë marrë furnizim me rreth 110 produkte. “Javën e kaluar ne jemi furnizuar, na kanë ardhur disa produkte dhe disa lloje të barnave, si ‘Metformim’-i, i cili përdoret nga pacientët me diabet. Ndonjë ndryshim të madh nuk ka pasur. Nga 150 produkte pra të materialit shpenzues dhe të materialit ampular që i kemi kërkuar, jemi furnizuar me 37 lloje, afërsisht edhe 110 produkte nuk i kemi marrë. Për disa prej tyre ne i kemi kontratat me operatorë ekonomikë, të cilat janë për përmbushje të listës esenciale nga Komuna e Prishtinës”, ka thënë ai.

Aliu ka treguar se ata kanë mungesë të disa barnave, të cilat i përdorin pacientët me epilepsi, ata me probleme në zemër e pacientët me probleme tjera shëndetësore. “‘Aspirin’-i, i cili me emër gjeneral është ‘Acetil salicilik acid’, përdoret për hollim të gjakut, pra për qarkullim më të mirë të gjakut, ‘Acidi valporik’ përdoret nga personat që janë me probleme të epilepsisë, tabletat ‘Diazepan’ të 5 miligramëve dhe ‘Lozartan’ janë tabletat të cilat i përdorin pacientët që kanë probleme me zemër, ato përdoren për hipertension”, ka deklaruar ai.

Mungon dyoksidi i karbonit, i cili është i nevojshëm për operacione

Në Spitalin e Prizrenit momentalisht mungon dyoksidi i karbonit, gaz i cili është i nevojshëm për kryerjen e operacioneve të ndryshme në Kirurgji, në Gjinekologji e në reparte të tjera.

Vedat Selmani, përgjegjës për gazra medicinave në këtë spital, ka thënë për “Zërin” se kërkesën për furnizim me CO2 e kanë bërë me kohë. “Për momentin nuk ka CO2. Deri javën e kaluar kemi pasur CO2. Kemi bërë kërkesën me kohë dhe na është premtuar që furnizimi do të kryhet më së largu brenda dy javëve”, ka thënë ai.

Në anën tjetër Naim Sahiti, zyrtar për informim në Spitalin e Pejës, ka thënë për “Zërin” se për momentin kanë rezerva të dyoksidit të karbonit.

Furnizim i pamjaftueshëm me kontrast

Kohë pas kohe Qendra Klinike Universitare e Kosovës, si dhe spitalet rajonale janë ballafaquar edhe me mungesë të kontrastit për CT dhe për rezonancë magnetike.

Kontrasti, i cili është lëndë e nevojshme për të bërë incizime në mënyrë që të detektohet ndonjë sëmundje, është blerë shumë herë nga pacientët e që çmimi i tyre thuhet se është rreth 20 euro.

Zyrtari për informim në Spitalin e Pejës, Naim Sahiti, ka thënë se për momentin kanë kontrast vetëm për rastet emergjente. “Kontrast gjatë vitit kemi pasur. Aktualisht jemi në pritje të porosisë që kemi dhënë. Kemi kontrast për rastet urgjente derisa të vijë porosia e pastaj do të ketë për të gjitha rastet që kanë nevojë”, ka deklaruar ai.

Ndërsa Muharrem Rama, shef i barnatores në Spitalin e Prizrenit, ka thënë për gazetën se furnizimi me kontrast për tremujorin e tretë të këtij viti ka qenë 100 copë, ndërsa javën e kaluar për tremujorin e katërt ata kanë pranuar 300 copë.