Trajtimi i ri i kancerit shkatërron tumoret e avancuara, zbulon testi i ri klinik
Foto: The Guardian

Trajtimi i ri i kancerit shkatërron tumoret e avancuara, zbulon testi i ri klinik

Shëndetësi October 11, 2021 - 16:42

Një trajtim i ri i kancerit mund të fshijë tumoret në pacientët me sëmundje të kancerit të kokës dhe qafës, kanë zbuluar shkencëtarët.

Në një provë klinike historike, një koktej ilaçesh imunoterapie shfrytëzoi sistemin imunitar të pacientëve për të vrarë qelizat e tyre kanceroze dhe nxiti “një prirje pozitive në mbijetesë”, sipas studiuesve në Institutin e Kërkimeve të Kancerit (ICR) në Londër dhe fondacionin “Royal Marsden NHS”.

Një pacient, i cili ishte parashikuar të vdiste katër vjet më parë, ia tregoi prestigjiozes britanike “Guardian” momentin “mahnitës” që infermierët e thirrën atë disa javë pasi iu bashkua studimit për të thënë se tumori i tij ishte “zhdukur plotësisht”, transmeton Zeri.info.

Gjyshi 77-vjeçar tani është pa kancer dhe e kaloi javën e kaluar duke lundruar me gruan e tij.

Shkencëtarët zbuluan se kombinimi i barnave nivolumab dhe ipilimumab çoi në një zvogëlim të madhësisë së tumoreve në pacientët me kancer në fazë të avancuar në kokë dhe qafë. Në disa prej tyre, kanceri u zhduk krejt, dhe mjekët mbetën po ashtu të habitur që nuk gjetën asnjë shenjë të zbulueshme të sëmundjes.

Kombinimi i dy ilaçeve të imunoterapisë mund të dëshmohet një armë e re efektive kundër disa formave të kancerit të avancuar, besojnë ekspertët. Edhe rezultatet nga provat e tjera të kombinimit të ilaçeve kanë treguar më parë përfitime të ngjashme për pacientët me kancer në faza të avancuara të veshkave, lëkurës dhe zorrëve të sëmurë përfundimisht.

Përveç rritjes së shanseve afatgjata të mbijetesës së pacientëve, thanë shkencëtarët, trajtimi me imunoterapi gjithashtu shkaktoi shumë më pak efekte anësore në krahasim me natyrën shpesh rraskapitëse të kimioterapisë “ekstreme”, e cila është trajtimi standard i ofruar për shumë pacientë me kancer të avancuar.

Rezultatet e provës së fazës 3, që përfshinte pothuajse 1.000 pacientë para vdekjes nga kanceri i kokës dhe qafës, ishin të hershme dhe jo statistikisht të rëndësishme, por ishin megjithatë “domethënëse klinikisht”, tha ICR-ja, ku disa pacientë jetuan muaj ose vite më shumë dhe patën më pak efekte anësore.

“Këto janë rezultate premtuese”, tha Prof Kristian Helin, shefi ekzekutiv i ICR-së, për “Guardian”. “Imunoterapitë janë trajtime më të mira, më të zgjuara që mund të sjellin përfitime të konsiderueshme për pacientët”.

Kur Barry Ambrose, 77 vjeç, nga Bury St Edmunds, u diagnostikua me kancer në fyt në 2017, atij iu tha se tashmë ishte përhapur në mushkëritë e tij – dhe se kujdesi paliativ spitalor ishte opsioni i tij i vetëm.

Por ndodhi diçka që ia shpëtoi atij jetën. Ambroset iu ofrua mundësia të bashkohej me studimin e ri. “Kur më thanë për testimin klinik... nuk hezitova të bashkohesha – çfarë kisha për të humbur? Doli të ishte një kthesë shpëtimi”.

“Megjithëse më duhej të bëja udhëtime dyjavore nga Suffolk në spital për trajtim, praktikisht nuk kisha efekte anësore dhe isha në gjendje të vazhdoja si zakonisht duke bërë gjërat që më pëlqen: lundrimi, çiklizmi dhe kalimi i kohës me familjen time”.

Brenda rreth tetë javësh nga fillimi i trajtimit, skanimet zbuluan se tumori në fytin e tij ishte çrrënjosur.

“Kur infermierët hulumtues telefonuan për të më thënë se, pas dy muajsh, tumori në fytin tim ishte zhdukur plotësisht, ishte një moment mahnitës”, tha Ambrose. “Ndonëse kishte ende sëmundje në mushkëritë e mia në atë moment, efekti ishte mahnitës”.

Ai më vonë iu nënshtrua kimioterapisë, e më pas edhe operacionit. Ai aktualisht nuk ka shenja të sëmundjes.

Javën e kaluar ai shijoi një lundrim jashtë brigjeve të Mbretërisë së Bashkuar me gruan e tij, Sue.

Rezultatet e studimit tregojnë se kombinimi i imunoterapisë gëzonte një shkallë suksesi veçanërisht të lartë në një grup pacientësh, tumoret e të cilëve kishin nivele të larta të një markeri imunitar të quajtur PD-L1.

Këta pacientë jetuan mesatarisht tre muaj më gjatë se ata që kishin kimioterapi. Mbijetesa e përgjithshme mesatare për këta pacientë ishte 17.6 muaj, mesatarja më e lartë e raportuar ndonjëherë në këtë grup pacientësh.

Studiuesit thanë se ata shpresonin se gjetjet e ardhshme nga testi klinik “CheckMate 651”, financuar nga “Bristol Myers Squibb”, do të tregojnë përfitime të mëtejshme të terapisë tek pacientët me kancer të avancuar të kokës dhe qafës. /Zëri