Pfizer/BioNTech: Tri doza të vaksinës, efektive kundër “Omicron”-it
Foto: Reuters

Pfizer/BioNTech: Tri doza të vaksinës, efektive kundër “Omicron”-it

Shëndetësi December 08, 2021 - 14:16

Kompanitë, Pfizer dhe BioNTech njoftuan më 8 dhjetor se tre doza të vaksinës së këtij prodhuesi kundër COVID-19, treguan që gjenerojnë efekte neutralizuese kundër variantit të ri të koronavirusit, Omicron.

Ky përfundim u nxor pas testimeve intensive që kompania bëri në laborator.

Në njoftimin e parë zyrtar nga prodhuesi i vaksinës lidhur me efikasitetin e vaksinës së saj kundër Omicronit, BioNTech dhe Pfizer njoftuan se dy doza të vaksinës rezultuan që kanë më pak efekt në neutralizimin e antitrupave por me dozën e tretë të vaksinës, vërehet rritja e efikasitetit.

Rezultatet janë preliminare derisa gjetjet janë përshkruar vetëm në një komunikatë për media. Më shumë të dhëna ende nuk janë të qasshme.

Kompania mes tjerash shtoi se nëse është e nevojshme, vaksinat që do të kishin për bazë variantin Omicron do të mund të ishin gati deri në mars 2022.

Nga 9 dhjetori edhe në Kosovë fillon dhënia e dozës përforcuese dhe dozës së tretë të vaksinës kundër koronavirusit, konfirmoi më 8 dhjetor Ministria e Shëndetësisë e Kosovës.

“Doza përforcuese u jepet personave, të cilët i kanë marrë dy doza të vaksinës kundër COVID-19 [sëmundjes që e shkakton koronavirusi], por te të cilët, me kalimin e kohës, imuniteti vjen duke rënë. Doza përforcuese jepet 6 muaj pas marrjes së dozës së dytë”, njoftoi MSH-ja.

Dozën përforcuese dhe dozën e tretë do të mund ta marrin të gjithë personat mbi 18 vjeç.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës i ka rekomanduar Ministrisë së Shëndetësisë qysh në shtator të nisë dhënien e dozës përforcuese.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, Kosova ka në stok rreth 400 mijë doza të vaksinave, si dhe disa të tjera të kontraktuara.

Vaksinat që jepen në Kosovë, janë: Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca, të dyja të miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Agjencia Evropiane e Barnave.

Njëkohësisht edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi se vaksinat mbrojnë njerëzit nga varianti Omicron. Sipas doktorit Mike Ryan nga OBSH-ja, të dhënat e para dëshmojnë se Omicron nuk i bënë njerëzit më të sëmurë sesa Delta apo variantet tjera. /rel