Turqia po refuzon trajtimin falas të 100 pacientëve kosovarë në vit

Turqia po refuzon trajtimin falas të 100 pacientëve kosovarë në vit

Shëndetësi May 15, 2022 - 23:12

Turqia po refuzon trajtimin falas për 100 pacientë nga Kosova, për shkak të borxhit që i ka vendi.

Në vitin 2011 ishte nënshkruar marrëveshja me Turqinë që për çdo vjet, t’i trajtojë falas 100 pacientë nga Kosova. Por, këtë vit, këtë shërbim nuk do ta marrin pacientët në nevojë nga Kosova.

Shkak për këtë, po del të jetë një borxh prej 25 milion eurosh, që Ministria e Shëndetësisë, ia ka shtetit turk.

Gazetari Bujar Vitia thotë për tëvë1 se për këtë gjë janë informuar ministrat e dy vendëve.

MSH i ka borxh spitaleve turke rreth 25 milion euro, të akumuluara për 3 viteve, e që shteti turk nuk po pranon t’i trajtojë pacientët pa u paguar ky borxh.

Vitija thotë se këtë gjë ia ka bërë me dije ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, edhe homologu turk Fahretin Koca në takimin e fundit në Turqi.

Ai thotë se borxhi është akumuluar nga kërkesat e shumta të pacientëve nga Kosova.

“Ky borxh është akumuluar si pasojë e kërkesave të shumta të pacientëve të qytetarëve të Kosovë për trajtim jashtë vendeve, si rezultat i shumë diagonzave dhe patologjieve që nuk trajtohen në Kosovë…”, ka thënë ai.

Se është ndërprerë kjo marrëveshje, e thonë edhe në Shoqatën për të Drejtat e Pacientëve të Kosovës.

“Në fakt është ndërpre një marrëveshje që KS e ka pas ndaj Turqisë, për trajtimin e pacientëve falas. Për shkak se Fondi për trajtim ka hy në borxh në institucionet e Turqisë, atëherë kjo marrëveshje është ndërpre”, ka thënë Besim Kodra  nga Shoqata e pacientëve të Kosovës.

Nga kjo shoqatë, i bëjnë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë, ta zgjidhin sa më parë këtë problem.

“Po mundemi me thanë që i ka dëmtuar pacientët, sepse 100 pacientë për trajtim falas jashtë vendit nuk janë pak, prandaj MSh duhet me bë përpjekje që me paguar këtë borxh”, u shpreh Kodra.

Ndërkohë për këtë çështje, pavarësisht pritjes nuk kanë kthyer përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë.

Ndryshe, nga viti 2019 deri ne 2021 Turqia ka trajtuar falas mbi 200 pacientë kosovarë.