
Moszbatimi i Ligjit për çmimin e barnave, ankohen qytetarët
Shumë qytetarë në vend po ankohen për mos zbatimin e Ligjit për çmimin e barnave. Ata thonë se ka dallime të mëdha çmimesh për të njëjtat produkte farmaceutike në barnatore të ndryshme. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se janë duke trajtuar me prioritet këto shqetësime. Ndërkaq, nga Oda e Farmacistëve theksojnë se ligji po zbatohet, pavarësisht rritjes së çmimeve për disa produkte, derisa shoqata për të Drejtat e Pacientëve kërkon më shumë inspektime.
Ligji i ri për çmimet e barnave në Kosovë, i cili hyri në fuqi më 1 shkurt të këtij viti, po përballet me ankesa nga qytetarët, të cilët thonë se zbatimi i tij nuk po ndodh në praktikë. Disa të intervistuar nga Radio Kosova shprehen se në disa barnatore çmimet për të njëjtat produkte farmaceutike vazhdojnë të jenë të ndryshme, duke ngritur dyshime për mosrespektimin e ligjit.
“Një ilaç e gjen diku me një çmim tjetër e 10 metra më poshtë, në barnatoren tjetër, i njëjti bari, çmimi ndryshe. Personalisht, për mendimin tim nuk është mirë që nuk po zbatohet ky ligj në të gjitha barnatoret. Ne të gjitha barnatoret duhet të jetë çmimi i njëjtë që njerëzit të mos maltretohen duke shkuar herë të një barnatore herë të tjetra”, thotë një qytetar.
Zyrtarja për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Gjylferie Zabeli, tha për Radio Kosovën se të gjitha ankesat e qytetarëve që kanë arritur në Inspektoratin Farmaceutik, janë trajtuar me prioritet, teksa bën thirrje për raportim të shkeljeve të mundshme.
“Andaj, ne si Ministri e Shëndetësisë i lusim qytetarët që të bashkëpunojnë me ne dhe, në rast se vërejnë që ndonjë subjekt që vepron në kundërshtim me ligjin, menjëherë ta njoftojnë Inspektoratin Farmaceutik apo organet e tjera kompetente, me qëllim që Ligji për çmimin e barnave të respektohet në tërësi”, thotë Zabeli.
Unifikimi i çmimeve të barnave ka për qëllim uljen e tyre në nivel kombëtar. Por, kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Kadri Bytyqi, thotë për Radio Kosovën se ka produkte që i është rritur çmimi me hyrjen në fuqi të ligjit për çmimin e barnave në vend. Ani se sipas tij, ligji po vazhdon të zbatohet nga ana e barnatoreve.
“Barnatoret janë duke e respektuar pothuajse të gjitha, me ato çmime që u vijnë në banderole me atë çmim ua ofrojnë pacientëve. Por me ligjin e ri për barnat, ka raste që disa produkte farmaceutike kanë pasur një ngritje në raport me ato që i kanë pasur me herët. S’po themi për të gjitha produktet por disa prej tyre janë me çmim më të lartë sesa që kanë qenë më herët në treg”, thotë Bytyqi.
Se Ligji për çmimin e barnave po zbatohet në barnatoren ku punon, e pohon edhe farmacistja në një nga barnatoret e kryeqytetit.
“Ne i kemi respektuar masat që i ka vendosur Ministria e Shëndetësisë. Krejt çmimet në barnatore i kemi sipas listës së Ministrisë. Tash shumica e produkteve kanë ardhur me banderola me çmime. Pacientët mund ta shohin vetë çmimin që është në banderolë. Besoj që është një diçka e mirë sepse barnatoret nuk mund ta bëjnë diferencën e çmimeve “ thotë kjo farmaciste.
Ndërsa, nga Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Pacientëve (PRAK), Besim Kodra, thotë se Ministria e Shëndetësisë duhet të dërgojë inspektorë për të monitoruar barnatoret dhe për të siguruar zbatimin e ligjit.
“Meqenëse Ministria e Shëndetësisë ka marrë një vendim për caktimin e çmimit të barnave, duhet t’i dërgojë inspektorët në terren nëpër barnatore që në rast që has në parregullsi, t’i gjobisë secilin që provon t’i lëvizë çmimet jashtë asaj çmimoreje”, thotë Kodra.
Kodra thekson se Ministria e Shëndetësisë duhet të zbatojë vendimet që vetë i ka marrë. Sipas tij, ky është një vendim i prerë që nuk diskutohet dhe duhet të respektohet pa përjashtim.