Duffy kërkon nga “Netflix”-i heqjen e filmit polak “365 Days”

Duffy kërkon nga “Netflix”-i heqjen e filmit polak “365 Days”

Showbiz July 03, 2020 - 14:59

Këngëtarja Duffy po i bën thirrje “Netflix”-it ta heqë një film kontrovers ndërkombëtar nga platforma e vet, duke thënë se “reklamon realitetin brutal të trafikimit të seksit, rrëmbimin e përdhunimin”.

Këngëtarja 36-vjeçare nga Uellsi, e cila më parë ka folur hapur për përvojat e saj të mëhershme, ku thoshte se ishte droguar, përdhunuar e mbajtur në robëri, përmes një letre dërguar CEO-s të “Netflix”-it, Reed Hastings, kërkoi që të konsideronte tërheqjen e filmit polak “365 Days” nga platforma dhe e quajti transmetimin e filmit “të papërgjegjshëm”.

“Kur u trafikova dhe u përdhunova pata fatin të vazhdoj me jetën time, por shumë nuk kanë qenë aq me fat. Tani më duhet t’i shoh këto tragjedi dhe tragjedinë time, duke u kthyer në erotikë e në përulje. Si ta adresoja këtë çështje? Përpos t’ju shkruaja direkt”, ka thënë Duffy në letrën e saj, shkruan “Foxnews”.

Duffy gjithashtu u është drejtuar edhe njerëzve, që mund të thonë se “është thjesht vetëm një film”, por që sipas saj “nuk është thjesht ‘vetëm’ një film, kur i njëjti ka ndikim të madh për të shtrembëruar një temë, e cila nuk diskohet në masë e që është trafikimi i seksit dhe kidnapimi, e duke e bërë këtë çështje erotike”.

“365 Days” është momentalisht në Top 5 në Britani të Madhe dhe është i bazuar në romanin e Blanka Lipinskasit, ndërsa kur ky film u shfaq para shikuesve amerikanë, ata u ankuan se ai po e “romantizon” sindromën e Stokholmit.

Filmi fitoi rreth 9 milionë dollarë në Poloni. Sipas “Deadline”-s, një vazhdim i tij thuhet se është planifikuar, megjithatë aktualisht është në pritje për shkak të pandemisë COVID-19, raporton “Zeri.info”.