Dua Lipa në ballinën e “Rolling Stone”, vjen me një super-intervistë për Prishtinën

Dua Lipa në ballinën e “Rolling Stone”, vjen me një super-intervistë për Prishtinën

Showbiz January 14, 2021 - 17:31

Pop superylli — dhe ylli i ballinës “Rolling Stone” — Dua Lipa bisedoi me revistën për episodin e fundit të serisë “The First Time”.

Këngëtarja e hitit “New Rules” e nis bisedën duke përshkruar përvojën e të dëgjuarit për herë të parë të këngëve të saja në radio.

“Në të vërtetë e dija se kënga ime do të lëshohej sepse [DJ] Annie Mac ma kishte konfirmuar se do ta lëshonte këngën time, ‘Be the One’, në BBC Radio 1”, thotë Lipa. “Shkova me shpejtësi në shtëpi, e ndeza radion dhe pastaj doli kënga ime dhe Annie Mac e prezantoi atë... e unë u tmerrova”, kujton ajo. “Kurrë nuk do ta harroj. Ishte një prej momente më surreale të jetës sime. Isha shumë e emocionuar”.

Image

Fëmija më i madh i refugjatëve shqiptarë nga Kosova, Lipa u rrit në Londër me njohuri të përgjithshme për efektet e luftës dhe konfliktit. Megjithatë, këtë e kuptoi më së miri kur shkoi në Kosovë për herë të parë nga Londra. “Vetëm kur u zhvendosa në Kosovë i kuptova me të vërtetë efektet e luftës dhe si ndikojnë ato në familjet e njerëzve, dhe sa shumë vuan një vend si pasojë e saj”, kujton ajo. “Isha rreth 11 vjeçe kur nisa ta kuptoja me të vërtetë efektin e luftës”, transmeton Zeri.info.

Image

Tatuazhi i parë i fitueses së dyfishtë të çmimit Grammy është një kujtim i rrënjëve të saj kosovare. Në parakrahun e saj të djathtë, ajo mban fjalët “Sunny Hill”, kujtesë kjo për lagjen ku prindërit e saj u rritën në Prishtinë. “Është një përkthim në gjuhën angleze i lagjes”, sqaron ajo. “Në gjuhën shqipe është ‘Bregu i Diellit’. Është diçka që gjithmonë do t’ma kujtojë shtëpinë, dhe është emri i fondacionit tonë [në Kosovë] sikurse edhe emri i festivalit që e mbajmë në Prishtinë”.

Image

Babai e saj e ndihmoi atë të organizonte atë festival në fazat e hershme të tij. Shfaqja inauguruese ishte shfaqja e saj e parë e madhe në Prishtinë, dhe kështu lindi ideja për të ftuar edhe artistë ndërkombëtarë për të performuar. Për ta falënderuat për mbështetjen, Dua mësoi një nga këngët e bendit të babait të saj dhe e performoi atë gjatë shfaqjes si befasi.

Image

“E gjithë turma këndoi me mua. Babai im ishte anash skenës dhe unë e ftova të më bashkëngjitej për të kënduar vargun e dytë dhe ishte një shfaqje shumë speciale e shumë emocionuese. Ishte mahnitëse”, kujton ajo.

Image

Prishtina është po ashtu vendi ku Dua Lipa përcolli për herë të parë një koncert. “Method Man dhe Redman” kujton ajo. “Isha rreth 13 vjeçe, më duket. Ishte njoftimi im i parë me Wu-Tang. Shkova me disa miq të shkollës dhe po, më ndryshoi jetën përgjithmonë”. /Zëri