Shitet për 88 milionë dollarë, shtëpia ku dikur kishte jetuar Marilyn Monroe

Shitet për 88 milionë dollarë, shtëpia ku dikur kishte jetuar Marilyn Monroe

Showbiz January 20, 2021 - 09:53

Shtëpia spektakolare në Los Angeles ku për një kohë kishte jetuar ylli, Marilyn Monroe, është shitur për një çmim prej 88 milionë dollarëve. Fillimisht kjo pronë e cila gjendet në “Holmby Hills”, kishte dalë në shitje me një çmim marramendës prej 180 milionë dollarëve, para se kjo shifër të ulej në 115 milionë. Por, përfundimisht shtëpia ku aktorja ikonike e hollywoodit kishte jetuar, u shit për gjysmën e çmimit origjinal të caktuar në vitin 2017.

Rezidenca e stilit të vjetër Tuscan ishte ndërtuar në vitin 1935 nga Robert D. Farquhar, për çiftin Florence dhe Charles Quinn, dhe më pas i ishte shitur bashkëthemeluesit të studios “20th Century Fox”, Joseph Schenck.

Me kalimin e kohës Marilyn Monroe e filloi një lidhje romantike me Schenckun, dhe përfundoi duke jetuar në shtëpinë për mysafir të kësaj prone luksoze. Përfundimisht Schencku ia shiti këtë rezidencë e cila i përfshinë nëntë dhoma të gjumit, aktorit Tony Curtis kur ishte kah fundi i karrierës së tij filmike.

Pasi ishin ftuar në një ndejë për të famshëm në këtë shtëpi, Cher dhe bashkëshorti i saj i parë, Sonny Bono, kishin vendosur se kjo ishte shtëpia e tyre e ëndrrave dhe e blenë atë. Sidoqoftë, duke qenë se lidhja e tyre po shkonte drejt fundit, dyshja e famshme filloi të jetonte në anë të ndryshme të rezidencës luksoze, dhe eventualisht vendosën t’ia shesin atë, Ghazi Aitas nga Monaco.

Shtëpia ikonike e cila gjithashtu i përfshinë dy shtëpi roje, pishinë, një shtëpi tjetër me pishinë dhe disa fontana, ka më shumë se tri vjet që ishte në treg për t’u shitur.

Ndërkohë në vitin 2017, një tjetër shtëpi e Marilyn Monroes u shit në vlerë prej 7 milionë dollarëve. Kjo pronë e cila po ashtu gjendet në Los Angeles, u ble për 350 mijë dollarë më shumë se çmimi i kërkuar dhe i shit në më pak se 10 ditë.

Aktorja e kishte blerë këtë shtëpi në vitin 1961, për një çmim prej 80 mijë dollarëve dhe kishte jetuar aty me, Eunice Murrayn, kujdestarja e saj prej kohësh. / KultPlus.com

Image