Ambasada e Kosovës në Itali njofton se “Zgjoi” do të jetë pjesëmarrës edhe në Festivalin e Filmit në Romë

Ambasada e Kosovës në Itali njofton se “Zgjoi” do të jetë pjesëmarrës edhe në Festivalin e Filmit në Romë

Showbiz October 15, 2021 - 14:13

Filmi “Zgjoi” i regjisores kosovare Blerta Basholli është dhënë premierë tashmë në shumë vende të botës.

Filmi “Zgjoi” ka fituar tri nga çmimet më të rëndësishme të festivalit më të madh të pavarur të filmit, “Sundance”, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe shumë çmime në festivale të tjera të filmit dhe është propozim i Kosovës në “Oscars 2022”, do të marrë pjesë tashmë edhe në Festivalin e Filmit në Romë.

Ambasada e Kosovës në Itali, përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, ka njoftuar se më 18 tetor 2021 festivali romak do të jetë nikoqir i filmit shumë të suksesshëm vendor.

Postimi i plotë (pa ndërhyrje):

“Më 18 tetor 2021, Festivali i Filmit në Romë do të jetë nikoqir i filmit Zgjoi i regjisores kosovare Blerta Basholli, e cila rrëfen historinë e vërtetë të Fahrijes, një grua nga Kosova, që mbeti e ve pas luftës në Kosovë.

Filmi Zgjoi ka fituar tri nga çmimet më të rëndësishme të festivalit më të madh të pavarur të filmit, “Sundance”, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe shumë çmime në Festivale të tjera të filmit.

Regjisorja Blerta Basholli rrëfen se frymëzimi i saj për filmin ishte jeta e zonjës Fahrije Hoti, e cila portretizon një histori të zakonshme, mirëpo shumë të gjallë dhe të fortë.

Ky film rrëfen historinë e Fahrijes e cila pas luftës ngeli e vetme me dy fëmijët, vajzën 3-vjeçare dhe djalin tre muajsh. Në përpjekjet për mbijetesë si nënë e vetme në Kosovën e pasluftës, ajo u bashkua me disa gra të tjera të fshatit që kishin mbetur të veja dhe krijuan kooperativën bujqësore “Krusha”, që merren me përpunimin e turshisë dhe ajvarit. Fahrija nuk heq dorë dhe vazhdon të luftojë jo vetëm për të mbajtur familjen e saj, mirëpo edhe për të luftuar paragjykimet kundër një komuniteti që është armiqësor ndaj saj.

Në këtë film luajnë: Yllka Gashi, Çun Lajçi, Aurita Agushi, Kumrije Hoxha, Adriana Matoshi, Molikë Maxhuni”, shkruhet në njoftim. /Zëri