300 milionë dollarë Phil Collins dhe grupi Genesis shesin të drejtat e muzikës së tyre

300 milionë dollarë Phil Collins dhe grupi Genesis shesin të drejtat e muzikës së tyre

Showbiz October 01, 2022 - 14:15

Këngëtari i njohur Phil Collins dhe shokët e grupit të tij Genesis shitën të drejtat e muzikës së tyre në kuadër të një marrëveshjeje multimilionere.

Kompania “Concord Music”, që ka blerë të drejtat, deklaroi se shitja përfshin edhe albumet solo të Collins.

Ndërsa kompania nuk e përmendi shifrën e marrëveshjes, ajo u bë publike nga gazeta “Wall Street Journal”, sipas të cilës ajo kushtoi 300 milionë dollarë.

Kjo shifër e bën atë ndër marrëveshjet më të shtrenjta të këtij lloji, duke i vendosur Collins dhe Genesis të tretët pas Bob Dylan dhe Bruce Springsteen.

Këto dy legjenda të rokut i shitën repertorët e tyre për 400 dhe 500 milionë dollarë. Ndërsa Neil Young përfitoi 150 milionë nga shitja e 50 për qind të këngëve të tij në 2021-shin.

Shitja e repertorëve është kthyer në një trend të industrisë muzikore në vitet e fundit, me artistë si Blondie, Shakira, Mark Ronson, Tina Turner e të tjerë që kanë dorëzuar këngët e tyre në këmbim të shumave të mëdha.

Për ta, marrëveshjet ofrojnë siguri financiare të menjëhershme dhe garanci se muzika e tyre nuk do të kalojë në procese të komplikuara gjyqësore pas vdekjes.

Në këmbim, investitorët fitojnë të ardhura nga përdorimi i ardhshëm i këngëve, shitja dhe transmetimi i tyre, si dhe nga marrëveshjet e licencimit. /euronews