Rita Ora: Nuk dua ta kufizoj veten vetëm vetëm në rolin e muzikantes

Rita Ora: Nuk dua ta kufizoj veten vetëm vetëm në rolin e muzikantes

Showbiz December 07, 2025 - 01:04

Këngëtarja me prejardhje shqiptare, Rita Ora, ka deklaruar se nuk dëshiron të kufizohet vetëm në rolin e muzikantes, teksa foli për fuqizimin e grave gjatë pjesëmarrjes së saj në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Detin e Kuq, që po mbahet në Xheda të Arabisë Saudite.

Në kuadër të eventit Women In Cinema, Rita Ora, 35 vjeçe, u shpreh për Daily Mail se ajo vazhdon të mësojë çdo ditë dhe të thyejë kufijtë tradicionalë në industrinë e artit. “Shpesh njerëzit e kufizojnë veten në vetëm një kategori, por nuk ka aspak nevojë për këtë. Unë e shoh veten gjithmonë si një fillestare, sepse jam vazhdimisht duke mësuar. Nuk duhet të hysh kurrë në një hapësirë duke menduar se nuk ke fuqi – sepse e ke,” u shpreh ajo.

Festivali i sivjetmë vë edhe një herë në qendër kinemanë botërore, me fokus të veçantë tek kineastët arabë dhe talentet rajonale. Rita u shfaq elegante në tapetin e kuq, ndërsa gjatë performancës në skenë mahniti publikun me një fustan të dizajnuar nga Elie Saab, me bust floral dhe fund voluminoz.

Duke folur për figurat frymëzuese femërore, Rita tha se personi që admiron më shumë është nëna e saj, por përmendi gjithashtu ikona të muzikës si Madonna, Blondie dhe Cher. “Janë gra që kanë bërë më shumë se një gjë në jetë dhe pikërisht kjo më pëlqen edhe mua. Është fantastike të shohësh se si këta kufij po thyhen,” theksoi ajo.

Ora shtoi se temat që lidhen me gratë, nga barazia në paga deri te tabu si menopauza, po vihen gjithnjë e më shumë në diskutim. Sipas saj, mbështetja mes grave duhet të jetë diçka e natyrshme dhe normale. “Nuk e imagjinoj një botë pa këtë energji dhe bashkim. Jam me fat që e përqafoj këtë frymë dhe dua ta çoj përpara për brezat e ardhshëm,” u shpreh artistja.

Festivali ka mbledhur mysafirë nga e gjithë bota në Cultural Square, në lagjen historike Al-Balad të Xhedës, për të shënuar edicionin 2025, i cili mban temën “For the Love of Cinema”. Rita Ora ishte ndër emrat më të spikatur të tapetit të kuq, duke konfirmuar edhe një herë rolin e saj jo vetëm si artiste, por edhe si zë i fuqishëm për barazinë dhe përfshirjen e grave në art dhe shoqëri. /kultplus