Kjo është deklarata e trajnerit të Dritës para ndeshjes së Superkupës
Foto: Driton Bublaku

Kjo është deklarata e trajnerit të Dritës para ndeshjes së Superkupës

Sport gusht 12, 2018 - 21:42

Drita ka marrë zemër pas debutimit pozitiv në garat evropiane dhe gjilanasit synojnë t’i vazhdojnë ato rezultate edhe në rrafshin vendor, shkruan Zeri.info.

“Intelektualët” shprehen të gatshëm për sfidën e nesërme me rivalin kryesor, Prishtinën. Trajneri Bekim Isufi është shprehur optimist se skuadra e tij do të dalë mirë nga kryeqyteti, ndërkohë që ka shprehur respekt maksimal për kundërshtarin.

Gjilanasit presin përkrahje të madhe edhe nga tifozët e tyre besnikë, “Intelektualët”, të cilët i kanë mbështetur pa kursyer asgjë edhe në ndeshjet që i zhvilluan në Mitrovicë në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës.

“Është me rëndësi për FC Dritën të fitohet ky trofe meqenëse pritet qe një kohë të gjatë. Siç e dimë Drita ka qenë fituese e Kupës dhe titullit të kampionit, por ka dështuar në dy tentimet për ta fituar Superkupën. Për ne është një ndeshje jashtëzakonisht e rëndësishme. E dimë situatën në të cilën e kemi, jemi munduar gjatë këtyre ditëve sa kishim në dispozicion ta freskojmë ekipin. Është punuar me kujdes në këtë drejtim”, ka thënë trajneri Isufi në konferencë për shtyp.

Duhet cekur se gjatë ditës së djeshme, në shenjë respekti, klubi i Dritës ka bërë homazhe tek varri i legjendës së futbollit kosovar – Fadil Vokrrit, ku edhe janë vendosur kurora. /Zëri/