E kërkuan turqit e kinezët, kjo ishte përgjigja e Ismet Munishit!

E kërkuan turqit e kinezët, kjo ishte përgjigja e Ismet Munishit!

Sport dhjetor 07, 2018 - 10:32
Detajet
Image

Ismet Munishi e ka bërë një sakrificë të madhe për Vëllaznimin. Trajneri i njohur kosovar e ka refuzuar një ofertë serioze nga Turqia vetëm për t’i mbetur besnik ekipit gjakovar, të cilin synon ta ngrejë në Superligë dhe t’ia kthejë namin e dikurshëm. Ai ka zbuluar se në të kaluarën ka marrë ofertë edhe nga Kina për të punuar me të rinjtë, të cilën po ashtu e ka refuzuar. Munishi ndërkohë po punon që futbollistëve kosovarë t’ua mundësojë transferimin më të lehtë në klubet evropiane

Ismet Munishi e ka konfirmuar besnikërinë e tij karshi Vëllaznimit, shkruan sot gazeta Zëri.

Trajneri i njohur kosovar ka zbuluar të enjten se e ka refuzuar një ofertë serioze nga Turqia pasi nuk dëshiron ta lërë në gjysmë projektin e nisur me klubin gjakovar, të cilin synon ta ngrejë në nivelet më të larta të futbollit kosovar.

“Zëri” merr vesh se klubi për të cilin bëhet fjalë është Daraca Genclerbirligi, i cili ka gjasa të mira që sezonin e ardhshëm të ngrihet në kategorinë e dytë të futbollit turk.

Megjithatë, ai vazhdon t’i mbajë kontaktet me klubet turke, ku ka luajtur si futbollist dhe nuk e përjashton mundësinë që në të ardhmen ta marrë drejtimin e ndonjë klubi turk.

“Tash e kam pasur një ofertë për Turqi. Nuk është ofertë nga Superliga, as nga Liga e Parë, por nga Liga e Dytë e Turqisë. Oferta ka qenë shumë konkrete. Disa miq të mi e kanë privatizuar klubin, i cili nuk ka ecur shumë mirë. Unë kam luajtur në Turqi dhe kam njerëz të futbollit që i njoh atje. Ideja e tyre ishte që unë të shkoja me disa lojtarë të Kosovës. Sidoqoftë, unë momentalisht të gjitha planet e mia i kam të lidhura me Vëllaznimin. Të shohim në të ardhmen”, ka thënë fillimisht Munishi në emisionin “Drive Time me Shukin” në “Radio Prishtina”.

Ai ka treguar tutje se drejtuesit e këtij klubi turk së fundmi kanë qëndruar në Kosovë dhe janë interesuar për disa futbollistë, me ndërmjetësim të Munishit.

“Ndërkohë, klubit turk unë do t’i ndihmoj me lojtarë. Ata i kanë parë disa lojtarë të Prishtinës dhe jemi takuar edhe me presidentin e klubit Remzi Ejupin, të cilin e kemi njoftuar për gjithçka dhe kemi qenë jashtëzakonisht transparentë. E falënderoj Ejupin për një mikpritje të mirë dhe sinqeritet gjatë bisedimeve”, nënvizoi ai.

Sipas Munishit, ideja ka qenë të hapet një trend i ri që klubet në Kosovë të fillojnë të prodhojnë lojtarë dhe të shesim lojtarë, në mënyrë që klubet kosovare edhe të marrin mjete financiare e jo vetëm të shpenzojnë.

Me këtë rast, edhe lojtarët, shton ai, e kanë një inspirim, vullnet dhe dëshirë më të madhe për të arritur.

Refuzoi ofertën edhe nga Kina

Oferta nga Turqia nuk është e vetmja që i ka arritur Munishit.

Ai ka zbuluar se në të kaluarën i kanë trokitur ne derë edhe kinezët për të punuar në Azi me futbollistë të rinj, por që nuk ia kishte marrë mendja ta niste këtë aventurë.

“Unë kam pasur ofertë të shkoja në Kinë për të punuar me fëmijë, por nuk mund të punoj me fëmijë. Oferta financiare ka qenë shumë e mirë, mirëpo nuk e shoh veten te puna me fëmijë sepse një trajner duhet të profilizohet se me cilat grupmosha të punojë”, shprehet tutje trajneri karizmatik.

Munishi: Vëllaznimin do ta ngremë në nivelet më të larta

Ismet Munishi është i fokusuar 100 për qind te Vëllaznimi, të cilin fillimisht synon ta ngrejë në Superligë, e më pas ta ngrejë në nivelet më të larta të futbollit kosovar.

“Vëllaznimi është një klub me traditë të madhe. E ka një tifozeri jashtëzakonisht të flaktë. Krejt qyteti jeton me klubin. Unë kam luajtur edhe vetë atje dhe e kam përfunduar karrierën në Vëllaznim. Është hera e tretë që po kthehem në Vëllaznim, një herë kam qenë si futbollist, një herë si trajner dhe tash prapë si trajner. Është një projekt interesant, po duam ta ngremë Vëllaznimin në nivele të larta. Momentalisht jemi në Ligën e Parë, por pritet të inkuadrohemi në Superligë vitin tjetër. Jemi të mbushur me plot energji. Definitivisht Vëllaznimin e presin momente jashtëzakonisht të mira”, nënvizoi ai.

Munishi tregon se pas ndeshjes së Kupës, të cilën gjakovarët do ta zhvillojnë në fundjavë, skuadra do të shkojë në pushim dhe më pas do të kthehet më 5 janar për t’i filluar përgatitjet për pjesën e dytë të sezonit.

Ai pret që kryesia t’ia bëjë disa përforcime, pasi konsideron se duhet të rritet konkurrenca dhe premtoi se do të punohet jashtëzakonisht shumë që t’i kënaqin shikuesit edhe me lojë të mirë, përpos rezultateve.

Sa i përket Kupës, ai shprehet se Vëllaznimi do të mundohet të shkojë sa më larg, e nëse i jepet mundësia ta fitojë këtë trofe të çmueshëm. /Zëri/