Prishtina dominon Evropën

Sport December 13, 2018 - 11:07
Detajet
Image

Mbrojtja e çeliktë ishte çelësi i suksesit të FC Prishtinës në dominimin që e pati në futbollin kosovar në pjesën e parë të sezonit. Bardhekaltrit kishin statistika mbresëlënëse në aspektin defanziv pasi kanë pësuar vetëm katër gola në 17 ndeshje, që i bie rreth 0,25 gola për ndeshje. Këta numra ia mundësuan ekipit kryeqytetas ta ketë mbrojtjen më të sigurt në Superligë dhe jo vetëm. Skuadra e Mirel Josës ka statistika më të mira se krejt skuadrat e pesë ligave më të forta në Evropë dhe të atyre të rajonit

FC Prishtina e dominoi futbollin kosovar në pjesën e parë të sezonit, shkruan sot gazeta Zëri.

Bardhekaltrit e mbyllën stinorin vjeshtor me 40 pikë të grumbulluara nga 17 ndeshje të zhvilluara, prej tyre 12 fitore, 4 barazime e 1 humbje.

Por ajo çka i veçoi kryeqytetasit ishte mbrojtja e sigurt dhe e çeliktë. Ata pësuan vetëm 4 gola në vjeshtë, ndërsa i shënuan 23 sosh.

Kjo i bie që prishtinasit kanë pësuar afërsisht 0,25 gola për ndeshje, një statistikë fantastike për ta.

Armend Dallku me shokë u treguan të pakalueshëm për ekipet kundërshtare, por merita për sigurinë në aspektin defanziv ka edhe mesfusha e sulmi, të cilët kontribuuan po ashtu.

Drejtori sportiv i prishtinasve, Arbnor Morina, i ftuar në emisionin “90 Plus” në “Radio Prishtina” dhe në “Zëri TV” e ka përgëzuar stabilitetin që po e tregon ekipi i Mirel Josës në aspektin defanziv, ndërsa për këtë të arritur e ka përshëndetur angazhimin e lojtarëve të krejt reparteve të fushës.

Ndërsa kapiteni Armend Dallku është treguar modest dhe e ka ndarë këtë të arritur me shokët e skuadrës, ndërsa e ka përmendur edhe portierin Visar Bekaj, i cili po i jep stabilitet ekipit me sigurinë e tij në portë.

Askush si Prishtina

Mbrojtja e prishtinasve nuk e ka dominuar vetëm futbollin kosovar.

Nëse i shikojmë edhe ligat e rajonit, por edhe ato më të forta evropiane, asnjë klub nuk e kishte mbrojtjen më të sigurt, të paktën deri më tash.

Në Bosnjë e Hercegovinë, FK Sloboda Tuzla, gjendet në vendin e pestë dhe ka pësuar vetëm 13 gola, pra e ka mbrojtjen më të sigurt në kampionatin e saj, kurse lideri FK Sarajevo ka pësuar 15 gola pas 19 ndeshjesh të zhvilluara.

Në Kroaci Dinamo Zagrebi i ka pësuar 9 gola në 17 ndeshje.

Në Maqedoni Vardari ka pësuar 10 gola, kurse liderja Shkëndija 14 sosh në 18 ndeshje të zhvilluara.

Në Mal të Zi Zeta ka pësuar vetëm 8 gola, kurse liderja Sutjeska 12 në 19 ndeshje të zhvilluara.

Në Slloveni Maribori prin në tabelë pas 19 xhirosh dhe ka pësuar më së paku gola, 16 sosh.

Në Serbi Partizani është i treti në tabelë dhe pas 20 xhirosh ka pësuar 8 gola, kurse liderja Crvena Zvezda ka pranuar 11 gola.

Në Greqi PAOK-u ka pësuar vetëm 5 gola në 13 ndeshje dhe i afrohet mbrojtjes së sigurt të prishtinasve.

Ndërkaq, në Bullgari CSKA-Sofia ka pësuar 7 gola në 19 ndeshje, kurse lideri Ludogorets 12 gola.

As klubet nga pesë ligat më të forta evropiane nuk i kanë punët më mirë sesa prishtinasit sa u përket golave të pësuar.

Në Angli lideri Liverpool në 16 ndeshje deri më tash i ka pësuar 6 gola, ndërkohë që nuk ka pësuar ende humbje.

Pa humbje në Itali është edhe Juventusi, i cili i ka pranuar 8 gola në 15 ndeshje.

Në Spanjë Atletico Madridi është i treti dhe ka pësuar më së paku gola, 10 në 15 ndeshje, kurse liderja Barcelona nuk i ka punët aq mirë në aspektin defanziv pasi ka pranuar 19 gola.

Në Gjermani ekipi që ka pësuar më së paku gola është Leipzigu, 13 sosh, ndërsa liderja Borussia Dortmund i ka marrë 14 sosh.

Në Francë Paris Saint Germaini ka pësuar 10 gola në 16 ndeshje. /Zëri/

Tabela e vjeshtës në Superligë

1. Prishtina      17 12           4              1              23           4              40

2. Feronikeli    17 12           3              2              29           9              39

3. Llapi             17 11           2              4              26           11           35

4. Gjilani          17 8              3              6              17           19           27

5. Drenica        17 7              3              7              22           16           24

6. Drita             17 7              2              8              25           22           23

7. Flamurtari   17 6              4              7              20           23           22

8. Trepça ‘89  17 5              7              5              22           18           22

9. Ballkani       17 6              3              8              16           22           21

10. Liria           17 6              1              10           20           24           19

11. Ferizaj       17 4              3              10           9              21           15

12. KEK-u       17  0              1              16           17           57           1