Prishtina nuk ndalet

Sport January 15, 2019 - 21:01
Lajmet e fundit nga sporti

Sot ishte dita e 9-të e fillimit të përgatitjeve e të cilat po mbahen në kryeqendër, të kombinuara në fushat e mbyllura me bari sintetik dhe në palestër të fitnesit.

Kur kanë mbetur edhe një java para udhëtimit 14-ditor në përgatitjet e Antalyas, skuadra sot ka stërvitur në palestër të fitnesit, konkretisht në “FiveStar” – njëherësh sponsor i FC Prishtina, njofton faqja e klubit prishtinas.

Të mbikëqyrë dhe program të shtabit teknik, futbollistët në paraditen e sotme punuan në forcë fizike.

Ndërsa futbollistët, Diar Miftaraj, Leotrim Bekteshi dhe Gauthier Mankenda folën rreth përgatitjeve të deritashme dhe ato që do t’i presin në Turqi.

Diar Miftaraj – mesfushori 28 vjeç me Prishtinën ka regjistruar 34 paraqitje me fanellën e Prishtinës dhe ka shënuar 1 gol – këtë edicion për tre pikët kundër Gjilanit, tha:

“Përgatitjet po ecin mjaft mirë. Po punohet me intensitet mjaft të lart dhe normalisht të gjithë futbollistët po e japin maksimumin që të përgatiten sa më mirë për stinorin e ri. Vjet në këtë kohë personalisht kisha probleme me disa lëndime, por sivjet jam në gjendjen time optimale fizike dhe po vazhdoj me përgatitje maksimale. Po punoj mjaft shumë dhe krejt kjo për qëllim që të ndihmoj sa më shumë ekipin. Duhet thënë se mungesa e një fushe të mirëfilltë është pengesë, por trajnerët janë duke e bërë punën shumë mirë edhe në këto fushat e vogla në të cilat po punojmë dhe gjithçka është duke shkuar shumë mirë. Ndërsa, siç dihet nga 22 janari udhëtojmë në Turqi e ku do të vendosemi në të njëjtin kompleks e ku vitin e kaluar kemi kaluar jashtëzakonisht mirë. Në fakt unë nuk i pata shijuar aq shumë, siç e thash përshkak lëndimeve që kisha, po besoj shumë se sivjet do t’i shfrytëzoj maksimalisht, si seancat stërvitore po ashtu edhe tre ndeshjet që i kemi në program dhe ku dy prej tyre do të jenë edhe më të forta se sa vitin e kaluar. Besoj se krejt këto përgatitje do të na shërbejnë që deri në fillim të stinorit pranveror të jemi sa më të gatshëm”, është shprehur ai.

Leotrim Bekteshi –  mbrojtësi 26 vjeç i transferuar në Prishtinë këtë edicion ka regjistruar 18 paraqitje me të cilat edhe është vlerësuar nga 11 trajnerët e Superligës për 11-në e vitit 2018.

“Jemi duke kaluar shumë mirë që nga fillimi i fazës përgatitore me 7 janar. Pothuajse nuk ka munguar asnjëherë asnjë futbollistë. Puna është duke u bërë profesionale dhe patjetër që të gjithë futbollistët jemi të kënaqur.  Më 22 janar udhëtojmë në Turqi e ku ndër tjera na presin edhe tre ndeshje të forta testuese që do të na shërbejnë për ta konfirmuar formën tonë”.

Bekteshi me ardhjen e tij pothuajse ka blinduar vijën mbrojtëse me çka Prishtina ka pësuar vetëm 4 gola në 19 ndeshje për kampionat dhe kupë. “Leo” është përshtat me aq lehtësi me skuadrën dhe ai thotë: “Bashkëlojtarët më kanë pritur jashtëzakonisht mirë dhe s’ka pasur siç jetë ndryshe, sepse të gjithë janë djem mirë dhe për këtë jam ambientuar mjaft mirë me ekipin. Po ashtu jemi ekip me cilësi dhe jorastësisht jemi zgjedh katër prej nesh në formacionin e vitit, edhe pse mendoj se e kanë merituar edhe futbollistë tjerë, por kjo ka qenë vlerësim i drejtë nga trajnerët tjerë. Deri tani në karrierën time kam fituar Kupën dhe Superkupën e Kosovës, pra më mungon vetëm titulli i kampionit, por besoj shumë se me punën të cilën jemi duke e bërë jemi rrugës për t’u stolisur edhe me trofeun që më mungon”.

Gauthier Mankenda, sulmuesi i krahut 21 vjeç me Prishtinën ka regjistruar 73 ndeshje zyrtare me Prishtinën duke shënuar 23 gola dhe asistuar në 17 sosh. “Jemi duke dhënë qindpërqindtë në punën tonë. Atmosfera në ekip është e shkëlqyer, larg më e mirë se sa viteve të kaluara. Është e vërtetë që fusha është duke më munguar shumë, mezi s’po pres të rikthehem.  Sepse, tani jam më se i gatshëm, e kam kaluar në tërësi lëndimin, pothuajse e kam harruar dhe po ndjehem i etur për të filluar sa më shpejtë stinorin pranveror. Në Turqi na presin tre kundërshtar të fortë, janë skuadra cilësore me të cilat dëshirojë të shprehim tërë potencialin tonë më të mirë. Edhe pse janë vetëm miqësore, dëshiroj t’i fitojmë për të na shtuar edhe më shumë besimin për kampionat”.

Image

Image

Image