Të gjithë për fitore, sot Kosova nis kualifikimet për Kampionatin Evropian

Të gjithë për fitore, sot Kosova nis kualifikimet për Kampionatin Evropian

Sport March 25, 2019 - 09:02
Detajet

Pas paraqitjes së shkëlqyeshme në ndeshjen miqësore ndaj Danimarkës të enjten e kaluar Përfaqësuesja e Kosovës në futboll, të hënën (20:45) e zhvillon ndeshjen e parë në kuadër të kualifikimeve për kampionatin evropian të futbollit “Euro 2020” me Bullgarinë, shkruan sot, gazeta “Zëri”.

Paraqitja fantastike e të përzgjedhurve të Bernard Challandes ndaj danezëve jep shpresë që në ndeshjen me Bullgarinë të shënojnë fitoren e parë në kualifikime, që do të ishte inspirim për djelmoshat tanë në rrugën drejt finaleve të Evropianit të ardhshëm.

Asnjë ndryshim për ndeshjen me bullgarët

Përzgjedhësi i parë i Kosovës pas pavarësimit të futbollit kosovar, Ajet Shosholli, mendon se futbollistët tanë kanë pak njohuri për kundërshtarin e tyre, ndërsa shprehet se përzgjedhësi Challandes dhe bashkëpunëtorët e tij e “kanë incizuar” lojën e bullgarëve, të cilët pak ditë më parë luajtën baras (1:1) me Malin e Zi. Duke folur për “Zërin” Shosholli tha: “Mendoj se futbollistët tanë kanë më pak njohuri për bullgarët sesa për kombëtaret e tjera, por jam i bindur se stafi ynë në krye me përzgjedhësin Challandes e ‘kanë bërë incizimin’ e duhur për lojën e bullgarëve, qoftë me shikimin e ndeshjeve të tyre ose nëpërmjet mjeteve të tjera teknologjike, si CD-ve ose mënyrave tjera që janë të mjaftueshme për të pasur pasqyrë të qartë për lojën e tyre”.

Shosholli mendon se loja e mirë kundër danezëve vetëm sa e vërtetoi formën e mirë të futbollistëve tanë. “Tanimë është e sigurt që është krijuar një ekip cilësor dhe i respektueshëm, që edhe kombëtaret më elitare do ta kenë respektin dhe madje edhe frikën prej kombëtares sonë”, shprehet Shosholli, duke besuar në rezultat pozitiv. Ndërsa sa u përket ndryshimeve në lojë, duke krahasuar me atë kundër Danimarkës, Shosholli mendon se nuk duhen bërë ndryshime. “Nuk duhet ndryshuar shumë nga loja që e patëm me danezët dhe të gjitha ndeshjet paraprake, sepse mënyra e tillë e lojëse sonë ka prodhuar edhe lojë cilësore e që produkt i kësaj loje kanë qenë edhe rezultatet e mira për të gjitha këto 11 ndeshje që i kemi pa humbje”, tha trajneri Ajet Shosholli për “Zërin”.

Kosova ka djem të shkëlqyeshëm

Ish-futbollisti i njohur kosovar, që me fanellën e Kroacisë e pati fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror të vitit 1988, Ardian Kozniku, shprehet në superlativ për lojërat e treguara nga ana e futbollistëve të Përfaqësueses së Kosovës. I kontaktuar nga “Zëri” Kozniku shprehet shumë i lumtur me lojërat e treguara nga ana e futbollistëve tanë, të cilët edhe i përgëzon jo vetëm për lojërat e mira, por edhe për rezultatet e arritura deri më tani. “Së pari ju lumtë djemve të Kosovës, si dhe tifozëve ‘Dardanëve’”, tha fillimisht Kozniku, duke shtuar se nuk di nëse futbollistët tanë kanë njohuri për kundërshtarin e së hënës. Në fund Kozniku uron futbollistët tanë, të cilët ai i cilëson të shkëlqyeshëm. “Suksese djemve të shkëlqyeshëm kosovarë”, tha në fund Ardian Kozniku për “Zërin”.

Kemi ngritje në lojë 

Trajneri i mirënjohur, Bylbyl Sokoli, ka folur për “Zëri” për ndeshjen që Përfaqësuesja e Kosovës do ta zhvillojë të hënën ndaj Bullgarisë, duke thënë se Kosova ka ngritje në lojën e saj viteve të fundit, teksa shton se shtabi teknik i Përfaqësueses ka mbledhur informata të mjaftueshme për ekipin bullgar. “Besoj se shtabi teknik ka grumbulluar mjaft informata për ekipin bullgar. Me siguri e kanë incizimin e ndeshjes së fundit kundër Mali të Zi”, tha Sokoli.

Tutje Sokoli shtoi se Kosova ka ngritje të cilësisë së lojës viteve të fundit. “Kosova ka ngritje të cilësisë në lojën e saj në vitin fundit, ka një seri të fitoreve dhe vetëm dy barazime. Ekipi ka vetëbesim, i cili u vërejt edhe në ndeshjen me danezët të radhitur në vendin e 10-të në botë”, shtoi Sokoli, duke shtuar në fund se Kosovës i nevojitet përqendrim në fazën e mbrojtjes.

Hekuran Kryeziu, i gatshëm për bullgarët

Para ndeshjes me Bullgarinë, në konferencën për medie përzgjedhësi Bernard Challandes dhe futbollisti Hekuran Kryeziu shpalosën opinionet e tyre për ndeshjen, siç e quan ata, shumë të rëndësishme. Challandes e vlerësoi ekipin bullgar, duke thënë se ata do të jenë agresivë. “Është një tjetër ndeshje, nëse do të jetë e mirë për tifozët nuk e di. Për mua është e qartë, do të përgatis ekipin si çdo ndeshje tjetër. Ndeshja me Danimarkën ka qenë miqësore, ndërsa tash jemi në një garë ku duhet të grumbullojmë pikë dhe do të na duhet të luftojmë për çdo top në çdo pjesë të fushës. Ata kanë ekip të fortë dhe me shumë përvojë”, tha Challandes, për të shtuar se ekipi është në një situatë të mirë, por të mos harrojmë se ata janë agresivë dhe do të na i vështirësojnë gjërat.

Ndërkohë lajm i mirë për Përfaqësuesen e Kosovës është rikthimi nga lëndimi i mesfushorit Hekuran Kryeziu, i cili do të jetë i gatshëm për sfidën e të hënës ndaj Bullgarisë. Ai tha se lëndimi është sanuar dhe me padurim e pret ndeshjen me Bullgarinë. “Siç e patë dje jam stërvitur me ekipin dhe nëse edhe sot shkon gjithçka në rregull, atëherë do të luaj në ndeshjen e nesërme”, tha Kryeziu, i cili saktësoi se në ndeshjet e vlefshme për Ligën e  Kombeve Bullgaria nuk ka shënuar shumë gola. “Ne e kemi analizuar kundërshtarin, i cili në Ligën e Kombeve nuk ka shënuar shumë gola. Ne e pamë me Danimarkën se mund të bëjmë mirë dhe jemi optimistë se me tifozët në stadium mund t’ia dalim”, tha Kryeziu, i cili mendon se ndeshja me Bullgarinë do të jetë ndryshe nga ajo me Danimarkën.“Besoj se ndeshja me Bullgarinë do të jetë një ndeshje më ndryshe se ajo me Danimarkën. Bullgaria është fizikisht e fortë dhe me agresivitetin që kanë mund të na i vështirësojnë gjërat”, u shpreh Hekuran Kryeziu.

Trajneri i Bullgarisë, Petar Hubchev, në konferencën për shtyp para ndeshjes me Kosovën ka thënë se është mjaft i vetëdijshëm për formën e mirë të futbollistëve të Kosovës. Ai tha se ndeshja e nesërme do të jetë e vështirë. "Na pret një lojë e mundimshme dhe e vështirë e ne si Bullgari duam të jemi në Evropian, andaj do ta japim më të mirën", tha Hubchev./Zëri