Gjithçka vendoset në Barcelonë e në Torino

Gjithçka vendoset në Barcelonë e në Torino

Sport prill 16, 2019 - 08:30
Detajet

Sonte do të zhvillohen dy përballjet e ndeshjeve të dyta të fazës çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Barcelona do të kërkojë ta ruajë epërsinë ndaj Manchester Unitedit për të vazhduar tutje në gjysmëfinale, derisa “Djajtë e Kuq” do të kërkojnë përsëritjen e një nate të ngjashme me atë të Parisit.

Ndërkohë Juventusi pret në shtëpi Ajaxin, derisa mori një rezultat të favorshëm 1:1 në udhëtim, shkruan gazeta "Zëri".

Barcelona dhe Manchester Unitedi do të takohen sonte në “Camp Nou” për ta zhvilluar ndeshjen e dytë dhe vendimtare të fazës çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Klubi katalonjas mund të ketë fituar 1:0 në “Old Trafford” në ndeshjen e parë çerekfinale ndaj Manchester Unitedit, por Paris Saint-Germaini kishte shënuar dy herë në Mançester dhe i është dashur të përshëndetej nga ky kompeticion në të tetën e finales.

“Djajtë e Kuq” do të kërkojnë një tjetër natë magjike në kompeticionin elitar evropian për klube, ashtu siç iu kishte ndodhur në “Parc des Princes”, ku kishin triumfuar 3:1 për ta eliminuar Paris Saint-Germainin në të tetën e finales.

Ka qenë edhe vetë trajneri i gjigantit anglez, Ole Gunnar Solskjaer, i cili ka thënë se ekipi i tij do të frymëzohet nga ajo që ndodhi në Paris, por edhe nga fitorja 2:1 ndaj Juventusit në Torino në fazën e grupeve.

“Ne do të përdorim ndeshjen me PSG-në, do të përdorim fitoren në udhëtim te Juventusi. Ne kemi mposhtur disa skuadra të mira jashtë shtëpisë këtë vit dhe kemi luajtur kundër disa lojtarëve të mëdhenj”, ka deklaruar norvegjezi.

Ndërkohë ndeshje mjaft interesante pritet të zhvillohet edhe në Torino, kur Juventusi e pret Ajaxin pas barazimit 1:1 në ndeshjen e parë në Amsterdam.

Holandezët e kishin dominuar lojën në takimin e parë, por u kishte munguar efikasiteti. Klubi italian shihet si favorit për të kaluar në gjysmëfinale, por Ajaxi ka treguar disa paraqitje mjaft të mira si mysafir këtë edicion, derisa e kishte mposhtur 4:1. Real Madridin në “Santiago Bernabeu” të tetën e finales dje kishte barazuar 1:1 në “Allianz Arena” ndaj Bayern Munichut.

Juventusi prej vitesh është në kërkim të trofeut të këtij kompeticioni, por pa dyshim se duhet të ketë kujdes nga shpejtësia dhe shkathtësia e futbollistëve të klubit holandez, që kanë befasuar futbollin evropian gjatë këtij viti.

Liga e Kampionëve

Faza çerekfinale

E martë

21:00 Barcelona – Man United (1:0)

21:00 Juventus – Ajax (1:1)./Zëri/